Kthehu lart

Robert Ndrenika: Nuk jam kundër Teatrit të ri, por toka e artistëve s'mund të përvetësohet!

Robert Ndrenika: Nuk jam kundër Teatrit të ri, por toka e artistëve s'mund të përvetësohet! GazetaExpress

Artisti i madh i skenës dhe ekranit, Robert Ndrenika është parë këta muajt e fundit në krye të atyre që kanë protestuar e vazhdojnë të protestojnë kundër prishjes së teatrit të vjetër dhe ndërtimit të një të riu.

Nuk janë të paktë ata që e kanë keqkuptuar ose që e kanë akuzuar se ai po përdoret politikisht. Po cila është e vërteta?

Në një intervistë  për gazetën ‘DITA’ ai sqaron pozicionin e tij në këtë protestë, duke hedhur poshtë çdo keqkuptim. Ai sqaron se nuk është kundër ndërtimit të një teatri të ri, po është kundër marrjes së tokës që i takon pikërisht teatrit. 

– I nderuar Berti, emri yt është lakuar shumë kohët e fundit lidhur me pozicionimin tënd kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Pse jeni pozicionuar kështu?

– Miku im, ka një keqkuptim të madh në gjithë këtë histori. E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë. Ajo hapësirë, le ta quajmë fushë, (sepse fushë do të bëhet kur të ndërtohet godina e re) u përket artistëve dhe nuk duhet ta prekë askush… Le ta marrin vesh të gjithë thelbin e shqetësimit tim në këtë protestë…

– Po atë duket se po bën qeveria të ndërtojë një godinë të re…

– Mirëpo kush do ta ndërtojë? Kjo është çështja. Ka shumë dyshime, nuk ka transparencën e nevojshme kur bëhet një ndërmarrje e tillë e madhe që ka edhe ndjeshmëri të lartë shoqërore, përtej komunitetit të artistëve…  Ajo që ne kundërshtojmë është dhënia e kësaj sipërfaqeje dikujt, një ndërtuesi privat le ta themi, dhe më këtë mendohet se është gjetur zgjidhja. Jo, kjo nuk është zgjidhja. Unë jam që të ndërtohet godina e re që t’i përkasë vetëm teatrit dhe artistëve dhe jo të përdoret për qëllime biznesi. Unë flas në emër të artistëve, të atyre që kanë shkuar dhe atyre që do të vijnë. Flas pra edhe në emër të atyre artistëve të mëdhenj që nuk jetojnë më por që kanë bërë historinë e këtij teatri, si Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Prokop Mima, Violeta Manushi e sa e sa të tjerëve që të më falni që nuk po i përmend dot të gjithë këtu. Kur dal të protestoj pikërisht ata artistë të mëdhenj kam në mendje. Ndaj dhe pyes veten para se t’u drejtohem të tjerëve: Si do të silleshin ata përpara një akti të tillë? Unë po bëj atë që mendoj se do të bënin edhe ata.

– Ka që mendojnë se ju po përdoreni politikisht në gjithë këtë histori…

– E kanë gabim. Unë nuk mund të përdorem nga asnjë krah i politikës, kushdoqoftë. Jam kundër pazareve politike që po bëhen për këtë çështje që mendoj se është me interes të lartë kombëtar.

– Çfarë do t’u këshillonit politikanëve në këtë rast?

– Të qëndrojnë sa më larg kësaj çështjeje dhe të mos e shfrytëzojnë atë për interesa të tyre, qoftë politike dhe qoftë biznesi. Në fund të fundit, pavarësisht nga postet që mbajnë aktualisht, ata janë thjeshtë spektatorë kur vijnë të shikojnë shfaqjet tona. Meraku i tyre duhet të qëndrojë tjetërkund…
– Ku?
– Ja e bëmë godinën qoftë dhe më të bukurën në botë. Po pastaj? Një politikan apo qeveritar i përgjegjshëm që mendon për sot e për nesër duhet të shtrojë pyetjen: Pasi e bëmë godinën, cilët janë ata që do të ngjiten në skenë për të vazhduar traditën e mirë që kemi krijuar? Cilat do të jenë pjesët që do të vihen në skenë? Cili do të jetë raporti midis pjesëve shqiptare dhe atyre të huaja? Çfarë mesazhesh do të përcjellim nëpërmjet asaj skene? Ja për këto duhet të mendojnë e të shqetësohen pushtetarët tanë, pra të shikojnë përtej së sotmes, por për perspektivën qoftë të afërt, qoftë të largët. Këto shqetësime unë i ngre edhe në një letër që u drejtohet krerëve aktualë të shtetit…/Dita/

    Data: 20 Qershor 2018 11:59
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera