Kthehu lart

Publikohet VIDEO - Si rrëmbehet i riu në mes të Vlorës...i zhdukur edhe sot!

Publikohet VIDEO - Si rrëmbehet i riu në mes të Vlorës...i zhdukur edhe sot! GazetaExpress

Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha publikon videon e rrëmbimit të një personi në qytetin e Vlorës në muajin korrik, i cili edhe sot e kësaj dite rezulton i zhdukur.

Fjala është për të riun Elvis Troqe, 24-vjeç, fati i të cilit nuk dihet prej dy muajsh, i cili u denoncua i zhdukur nga pak ditë më parë. Video u transmetua në emisionin "Repolitix". Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 17 korrik rreth orës 20:00.

Në pamje duken dy automjete, një i rrëmbyesve dhe tjetri i bashkëpunëtorit i cili mban në monitorim objektivin. 24-vjeçari vëzhgohet fillimisht për vendndodhjen e tij, teksa ndodhej në ambientet e një bar-kafeje. 

Rrëmbyesit sinjalizohen nga informatori dhe më pas aty mbërrin makina tjetër një automjet tip "Mercedes-Benz" ngjyrë gri. Viktima, pasi del nga lokali, përshëndetet fillimisht me drejtuesin e automjetit dhe më pas hipën me vetëdije në anën e pasagjerit, por pas asaj dite ai nuk është parë më dhe është denoncuar i zhdukur në polici. Elvis Troqe është ngritur nga ambientet e kafesë ku ishte i ulur me një shok të tij, pa marrë telefonin celular me vete.

Gazetari Artan Hoxha bëri të ditur se familja e Troqes kishte një sebep atë natë për darkë, ndërsa i riu ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Makina e rrëmbyesve ka qenë e shoqëruar nga tre automjete deri në dalje të Vlorës. Një muaj përpara rrëmbimit të 24-vjeçarit, gazetari Artan Hoxha tha se është zhdukur në datën 17 qershor edhe shoku i të riut, Albano Xhaferraj. Ata ishin kthyer të dy nga Belgjika në muajin qershor, ndërsa brenda një muaji u zhdukën të dy pa lënë gjurmë. 

"Ngjarja ka nddodhur në datën 17 korrik, nga ky moment ky person është zhdukur. Automjeti "Benz" është identifikuar. Autorët, rrëmbyesit gjithashtu dihet se kush janë, por nuk veprohet. Policia nuk vepron. Një muaj më parë u zhduk shoku i tij, Albano Xhaferraj. Erdhën të dy nga Belgjika. Këta duhet të gjenden në mënyrë që në Shqipëri, në Vlorë, apo kudo tjetër në këtë vend, të mos ndodhin më rrëmbime të kësaj natyre. 

Troqe ka qenë i dënuar në Itali me dy vite burg për trafik droge. Më pas është larguar në Belgjikë. Ka ardhur në Shqipëri së bashku me shokun e tij Albano Xhaferri. Ky i fundit i zhdukur në muajin qershor në të njëjtën situatë në datën 18 qershor. Nëse në rastin e Albano Xhaferrit kallëzimi u bën me vonesë, në këtë rast kallëzimi u bë menjëherë. E kam thënë në studion e Report Tv, se në Vlorë ndryshe nga Shkodra, po zhduken dhe kufomat. Kjo që ne thamë për Vlorën, ndodhën në Shkodër. U zhduk Gëzim Hysa dhe Agron Mullaj. Janë 16 raste të zhdukur. Një grup i strukturuar kriminal, fshihet pas kësaj ngjarjeje", thotë Hoxha.

Nga viti 2016 në Vlorë rezultojnë të zhdukur, disa prej të cilëve janë gjetur të mbytur në det, 16 persona. Në qytetin e Vlorës u denoncuan të zhdukur pak ditë më parë tre persona Albano Xhaferri 34-vjeç, Marjo Metushaj dhe i fundit Elvis Troqe. 


    Data: 12 Shtator 2018 22:34
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera