Kthehu lart

“Politico”: Liderët evropianë kërkojnë "parkingje" emigrantësh, Shqipëria një mundësi

“Politico”: Liderët evropianë kërkojnë "parkingje" emigrantësh, Shqipëria një mundësi GazetaExpress

Lajmi mbi Parkingjet e refugjatëve” në shtetet jashtë BE-së, që qarkullon tashmë prej disa ditësh në median shqiptare dhe atë të huaj, është real dhe i përmasave të rëndësisë së lartë.

“Politico.eu ka cituar këtë të mërkurë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, i cili ka propozuar që krerët e BE-së të krijojnë një “platformë rajonale të zbarkimit” jashtë kufijve të unionit dhe se diskutimi mbi problemin e refugjatëve do të jetë çështja kryesore e samitit të rradhës në BE.

Koncepti i platformës së zbarkimit – që zyrtarët thanë se do të duhej të zbatohej në bashkëpunim me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) – mund të krijonte një mekanizëm formal me të cilin BE mund të lidhë ndarjen midis liderëve te linjës së ashpër që bëjnë thirrje për kontrolle të ashpra kufitare dhe ata që këmbëngulin që vendet e BE-së t’i binden ligjit ndërkombëtar dhe t’i mirëpresin refugjatët që kanë nevojë për mbrojtje.

Në shkrim thuhet se origjina e kësaj ideje ka ardhur nga kryeministri hungarez Viktor Orban në vitin 2016, njëri ndër kritikët më të ashpër të linjës evropiane mbi politikat e ndjekura deri më tani për krizën e emigrantëve.

Politico.eu përmend dhe emrin e Shqipërisë si njërin ndër vendet e mundshme për të krijuar pikërisht këto “platforma zbarkimi” si dhe atë të Tunizisë.


Kujtojmë gjithashtu se ditën e djeshme media gjermane ZDF ka kryer një reportazh në lidhje me problematikën e menaxhimit të emigrantëve dhe mbi “rrugën e re” që këta të fundit po përdorin për të ardhur drejt vendeve të zhvilluara të BE-së. Në reportazh Shqipëria përmendet si pjesë e kësaj “rruge të re kalimi”, ndërsa në një intervistë po për ZDF-në, zv.Ministri i Brendshëm shprehej se Shqipëria ka kapacitete që të mbajë deri në 600 mijë refugjatë nëse kjo i kërkohet nga BE.

Disa ditë më parë, mediat austriake po ashtu kanë shkruar në lidhje me problematikën në fjalë. Shqipëria përmendej po ashtu nga këto media, ku thuhej se qeveria austriake po e sheh me prioritet mundësinë e krijimit të disa “parkingjeve” jashtë dyerve të BE-së, në mënyrë që të kontrollojë sa më mirë fluksin e refugjatëve.

Krahasuar me vitin 2015, fluksi në fjalë është i vogël, por sërish në instancat më të larta të BE-së duket se shqetësimi është kthyer në një problem serioz që duhet adresuar.

A do të jetë Shqipëria zgjidhja dhe a do ta dëmtojë kjo vendin?! E gjithë çështja mbetet për t’u parë, teksa mbarë vendi pret një përgjigje nga BE, nëse kjo e fundit javën e ardhshme do t’i hapë dritën jeshile negociatave apo jo./Gazeta Express

    Data: 20 Qershor 2018 13:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera