Kthehu lart

Në gjashtë muaj largohen nga sistemi bankar 250 mln euro kursime

Në gjashtë muaj largohen nga sistemi bankar 250 mln euro kursime GazetaExpress

Kursimet në sistemin bankar kanë shënuar në maj një tjetër rënie të fortë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në fund të muajit maj, stoku total i depozitave në lekë dhe në valutë zbriti në 968 miliardë lekë, duke rënë me gati 10 miliardë lekë, ose 1% në krahasim me muajin e mëparshëm (70% e rënies erdhi nga tkurrja e kursimeve në valutë). Ky është niveli më i ulët i depozitave që nga korriku i vitit 2015.Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kursimet e shqiptarëve në banka janë ulur me 33.4 miliardë lekë, ose me rreth 250 milionë euro. Kjo rënie për 5-mujorin ka ardhur si nga ulja e depozitave në lekë, ashtu dhe në valutë. Kursimet në lekë ranë me 15 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë u reduktuan me 18.5 miliardë lekë.

Ndërsa tkurrja e depozitave në valutë ka dhënë efektin e zhvlerësimit të euros (që mesatarisht në pesë muajt e parë të vitit këmbehej me 130 lekë, nga rreth 135 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e depozitave në monedhën vendase ka ardhur kryesisht nga ulja e kursimeve të individëve me afat në lekë. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit të depozitave, që erdhi pas politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet, ka bërë që individët të mos i shohin më bankat si një alternativë fitimprurëse për të depozituar kursimet e tyre.

Teksa norma bazë e Bankës së Shqipërisë u ul nga 5.25% në shtator 2011 në rreth 1% aktualisht, edhe interesat e depozitave kanë zbritur në më pak se 1% për kursimet vjetore. Në kërkim të fitimeve më të mëdha, individët kanë kaluar në investime më afatgjata, apo në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.Kursimet në valutë vijojnë të dominojnë, duke përbërë 52.6% të totalit të depozitave që kanë shqiptarët në fund të muajit maj. Në nëntor të vitit 2015, për herë të parë depozitat në valutë (ku dominon euro) për herë të parë i kaluar ato në lekë dhe kjo tendencë ka vijuar të bëhet më e fortë dhe pavarësisht strategjisë së Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e përdorimit të euros në ekonomi, monedha e përbashkët vijon të mbetet e preferuara e kursimtarëve./Shqiptarja.com/

    Data: 18 Korrik 2018 07:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera