Kthehu lart

"Mos ma ndërprisni ëndrrën, po më hidhni si pre tek kriminelët"

"Mos ma ndërprisni ëndrrën, po më hidhni si pre tek kriminelët" GazetaExpress

Një tjetër gjyqtar shqiptarë nuk e ka kaluar vettingun. Artan Lazaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës, nuk doli i pastër nga filtri që i bëri Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Sot u dha vendimi për shkarkimin e tij nga detyra, pasi gjyqtari nuk justifikon pasurinë dhe se kishte bërë deklarim të rremë. Gjyqtari ishte dhe vetë i pranishëm në seancë së bashku me avokatin e tij Sokol Hazizaj. Avokati tha se vendimi do të apelohet në Kolegj, pasi KPK ka bërë shkelje.

“Nuk e prisnim shkarkimin. KPK ka bere shkelje. Të kesh një shtëpi nuk është luks, kështu po shkojmë në devijanca sociale. Ne do ti drejtohemi Kolegjit të Apelimit”, tha Hazizaj.

Në seancën dëgjimore të mbajtur më 2 korrik, komisioni theksoi se nga hetimi rezultoi se gjyqtari ka dy apartamente në Tiranë, një në Vlorë dhe një në Bulqizë, tokë në Porto Palermo dhe një makinë tip ‘Benz’.

 Gjyqtari në deklarimin e tij ka thënë se  ai posedon sipas një kontrate sipërmarrjeje vetëm një apartament në kryeqytet, me sipërfaqe 159 metra katrore.

“Unë kam vetëm një pasuri, – theksoi gjyqtari, – edhe këtë shtëpi ende nuk e kam timen, e vetmja gjë që kam është një truall shkëmbor”.

Për shtëpinë në Bulqizë, gjyqtari është shprehur se është shtëpia e fëmijërisë së bashkëshortes disa vite përpara se ai ta njihte.

“Ju më llogarisni makinën, të cilën e mora gjate kohës që isha anëtar i KQZ, – deklaroi gjyqtari Laze, – dhe më pyesni pse e shita 5 mijë euro. Por e vërteta është se edhe sot në website ky automjet kushton 4800 dollarë, sepse ajo është makine e blinduar si ato që ju kanë vendosur juve në dispozicion”.

Trupa gjithashtu u shpreh se Lazaj ka bërë kontrata noteriale fiktive dhe nuk ka deklaruar pagesën për shkollën e vajzës në një kolegj privat.

Por paçka këtyre pretendimeve të komisionit të vettingut Lazaj deklaroi në seancën e kaluar se banka ka gabuar duke kërkuar rihetim.

Përsa i përket mos deklarimit të pagesave për shkollën e vajzës, ai tha se kishte harruar.  Burimi i vetëm i të ardhurave, u shpreh gjyqtari ka qenë rroga e tij, ndërsa ka shtuar se ka dhënë katër dënime me vdekje dhe shumë përjetë, prandaj kërkoi nga Vettingu që të mos i ndërpriste ëndrrën.

“Kam dhënë dënime të përjetshme theksoi gjyqtari Lazaj dhe shumë prej tyre nuk janë arrestuar ende, nëse qëllimi juaj është me hidhni si pre tek kriminelet, atëherë nuk kam c’tju them, bëjeni”, tha gjyqtari.

Gjyqtari Artan Lazaj deklaroi se organet e vettingut nuk kishin llogaritur punën e tij në drejtësi për 10 vite, përderisa ai ka filluar punë në gjyqësor në vitin 1994.

Artan Lazaj është njëri nga gjyqtarët që Ambasada e SHBA i ka refuzuar vizën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kishte anëtarë Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komiçi.

/Express

    Data: 11 Korrik 2018 12:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera