Kthehu lart

Megaskandali me projektin e Unazës së Madhe, prokuroria nis verifikimet

Megaskandali me projektin e Unazës së Madhe, prokuroria nis verifikimet GazetaExpress

Pyetur nga BIRN, një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se banorët e Unazës së Madhe kanë dorëzuar një kallëzim të ri pas publikimit të dokumenteve që sugjerojnë për falsifikim në një nga tre tenderët e shumëdebatuara të Unazës së Madhe dhe se prokuroria ka nisur "verifikimet".

Banorët e Unazës së Madhe, të cilët rrezikojnë të humbasin shtëpitë dhe pronat pa dëmshpërblim ose me dëmshpërblime me çmime shumë më të ulëta se sa tregu duket se nuk kanë humbur kohë pas publikimit në emisionin Të Paekspozuarit në Neës 24 të fakteve që sugjerojnë një rast falsifikimi dokumentesh dhe përdorimi dokumentesh të falsifikuara për fitimin e një nga tre tenderët kontrovers të Unazës. 

Një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN të premten se banorët kanë dorëzuar një kallëzim të ri në lidhje me rastin dhe se prokuroria “ka nisur verifikim”.

Prokuroria e Përgjithshme është kritikuar disa herë gjatë muajve të fundit për qëndrim inaktiv ndaj akuzave publike për manipulime tenderësh apo shkelje të ndryshme të qeverisë dhe fakti që verifikimi i nisur së fundmi erdhi pas kallëzimit nga banorët dhe jo me nismë të vetë prokurorëve është gjithashtu tregues për inaktivitet. Gjithsesi, prokurorët do të duhet të verifikojnë nëse dokumentet e përdorura nga kompania DH Albania janë me të vërtetë të falsifikuara dhe nëse po, kush është personi apo personat që fshihen pas kompanisë që u akuzua që një muaj më parë nga opozita si një kompani fantazmë me përfitues të panjohur.

Mbrëmjen e së enjtes, emisioni Të Paekspozuarit në News 24 publikoi [link] një përgjigje nga autoritetet amerikane, e cila tregon se dokumentet e pjesëmarrjes në tender të kompanisë HD Albania janë të falsifikuara.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili javë më parë kundërshtoi akuzat e opozitës për manipulim të tenderit duke pretenduar se gjithçka ishte sipas rregullave dhe ligjeve, u detyrua të premten më 7 dhjetor të njoftojë pezullimin e lotit 1 nga tre lotet e punimeve të shumëdebatuara të unazës duke argumentuar vendimin me nevojën e verifikimit të vërtetësisë së dokumenteve të publikuara nga emisioni “Të Paekspozuarit”.

Nisja e “verifikimeve” nga ana e Prokurorisë është vetëm hapi paraprak në procesin e një dosjeje penale./BIRN

    Data: 07 Dhjetor 2018 12:55
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera