Kthehu lart

"Kriza u zgjidh"...Por sërish trokitet në dyert e Gjykatës!

"Kriza u zgjidh"...Por sërish trokitet në dyert e Gjykatës! GazetaExpress

Dekreti i Presidentit Ilir Meta i dha fund krizës 20 ditore mes qeverisë dhe kryetarit të shtetit duke i hapur rrugë votimit të Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm në parlament.

Burime nga mazhoranca bëjnë me dije për VizionPlus se votimi i Ministrit të ri të Brendshëm do të bëhet në seancën e së enjtes në 22 nëntor, pasi nuk ka asnjë ngut për një seancë të jashtëzakonshme përsa kohë që Lleshaj drejton prej 6 nëntorit këtë ministri nga posti i zëvendësministrit.

Pas votimit në seancë Lleshaj nuk mund të nisë zyrtarisht detyrën pa bërë betimin përpara presidentit Ilir Meta. Kushtetuta nuk i vendos ndonjë afat kryetarit te shtetit për ceremoninë e betimit, por mësohet se nuk do të ketë asnjë vonesë nga kryetari i shtetit.

Ky është rasti i parë që procesi i dekretimit të një ministri zgjat 20 ditë.

Kryeministri Edi Rama e dërgoi propozimin për Sandër Lleshaj në 27 tetor menjëherë pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm. Në prag të skadimit të afatit 7 ditor që kushtetuta i jep kreut të shtetit për të dekretuar një ministër, Ilir Meta refuzoi të firmoste emrin e Sandër Lleshajt duke u mjaftuar me sqarimin se nuk kishte krijuar bindjen e plotë për të.

Shefi ekzekutivit i ridërgoi emrin e Sandër Lleshajt sërish për dekretim, e këtë herë kryetari i shtetit sqaroi se kandidatura ishte në shkelje të nenit 103 të kushtetutës pasi ishte ushtarak aktiv.

Në 16 nëntor Meta dekretoi fillimisht nxjerrjen në lirim të Gjeneral brigade Sandër Lleshaj, e pak orë më vonë e dekretoi si Ministër të Brendshëm.

Por ndërsa kriza u zgjidh, mazhoranca është e vendosur t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të pasur një mendim përfundimtar rreth kompetencave që Presidenti i Republikës ka mbi ministrat.

    Data: 17 Nentor 2018 19:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera