Kthehu lart

Grabitën 10 milionë lekë bizhuteri, flet pronari i argjendarisë: Si ndodhi ngjarja!

Grabitën 10 milionë lekë bizhuteri, flet pronari i argjendarisë: Si ndodhi ngjarja! GazetaExpress

Katër persona të maskuar grabisin argjendarinë më të madhe në qendër të qytetit të Lushnjës.

Edhe pse argjendaria ishte vendosur në hapësirën më të dukshme të qytetit, përballë bashkisë së qytetit, autorët nuk kanë hezituar të marrin parasysh riskun për të vjedhur sende me vlerë, që kapin shumën prej gati 100 milionë lekësh të vjetër. 

Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije per Panorama se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:45 minuta të mëngjesit të së dielës.

Sipas Policisë, nga të dhënat e marra prej pronarit të dyqanit, ky i fundit ka treguar se ka arritur që të dëgjojë zhurmën e shkallmimit të dyqanit, por pa mundur të bëjë asgjë më tepër. Argjendaria ndodhej një kat më poshtë banesës së pronarit, çka duket se e ndihmoi pronarin që të zgjohej sapo dëgjoi alarmin.

“Sapo ka rënë alarmi zbrita poshtë dhe arrita të shoh katër hajdutët të veshur me kapuç në kokë dhe me kostum sportiv. Një i pestë i priste në makinë”, është shprehur pronari i argjendarisë së grabitur. Ndërkohë, Policia e lajmëruar përmes alarmit ka mbërritur disa minuta më pas në vendin e ngjarjes.

TEKNIKA

Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e grabitjes ka sekuestruar pamjet filmike nga kamera e sigurisë nga një dyqan, që ndodhet përballë argjendarisë së grabitur. Kjo, pasi kamerat e sigurisë së argjendarisë janë marrë nga autorët bashkë me bizhuteritë. Sipas hetuesve, katër autorët kanë qenë precizë në kryerjen e grabitjes. Ata duket se e kanë studiuar mirë terrenin sepse vjedhjen e kanë kryer në vetëm dy apo tri minuta.

Për të shmangur zhurmën dhe rënien e alarmit që në fillim, autorët kanë përdorur një teknikë të veçantë. Ata kanë vënë në përdorim një krik automjetesh për të hapur qepenin, duke shmangur në këtë mënyrë dhe zhurmat. Pasi kanë arritur që të ngrenë qepenin, kanë thyer xhamin dhe kanë marrë gjithçka që ndodhej e ekspozuar në banakët e xhamit dhe vitrinat përreth dyqanit.

Pronari i ka thënë Policisë së bëhet fjalë për bizhuteri të shtrenjta si ora, unaza, varëse byzylykë e gjithçka tjetër që ishte për shitje. Edhe pse ende nuk janë përllogaritur dëmet e shkaktuara, vetë pronari ka deklaruar se shuma e mallit të vjedhur kap shifrën e rreth 100 milionë lekëve të vjetër.

AUTORËT

Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, e cila shënon vjedhjen më të madhe të ndodhur vitet e fundit në qendër të qytetit të Lushnjës. E gjithë skema e vjedhjes është filmuar dhe ka ndodhur në momentin e ndërrimit të turnit të patrullave policore. Çdo natë një furgon policie qëndron i parkuar afër zonës ku ndodhi grabitja, por autorët kanë vepruar në momentin e ndërrimit të turneve.

Blutë thonë se autorët e vjedhjes kanë shfrytëzuar momentin kur furgoni i Policisë që patrullon në qytet gjatë natës ka qenë në Komisariat, për shkak se ndërrohej turni i policëve. Disa informacione operative i kanë treguar Policisë se autorët e dyshuar kanë dalë nga Lushnja dhe janë larguar për në drejtim të Tiranës.

Ndërkohë, dyshohet se njëri nga autorët e grabitjes mund të ketë shkuar si klient disa ditë më parë në dyqan. Ai është vonuar për të pyetur për bizhuteri që i duheshin, por kjo mund të ketë ardhur për arsye se ka dashur të studiojë ambientet e brendshme të dyqanit, vendin e ndodhjes së mallit, hyrjen, masat e sigurisë etj.

Pronari: I pashë autorët nga kamerat e sigurisë

Pronari i argjendarisë së grabitur, Bujar B., 47 vjeç, shprehet se ka arritur të shohë nga kamerat e sigurisë vetëm momentin e largimit të autorëve. “Nuk dëgjova asnjë zhurmë se shtëpinë e kemi një kat lart dyqanit. Por nga ora 5 e mëngjesit ra alarmi dhe thashë të hap njëherë kamerat e sigurisë, se alarmi bie dhe kot ndonjëherë. Por më pas pashë që më kishin marrë gjithçka”, tregon pronari 47-vjeçar.

    Data: 21 Janar 2019 17:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera