Kthehu lart

Aneta Nikaj, këngëtarja dhe aktorja njohur që kishte plot ëndrra

Aneta Nikaj, këngëtarja dhe aktorja njohur që kishte plot ëndrra GazetaExpress

Mendonte se e kishin harruar.

Për të larguar pluhurin e harresës, pluhurin e viteve, shpesh herë e vetme në dhomë, sillte nëpër mend jetën e saj. E sillte si në një film. I shfaqeshin skena, role…, dëgjonte tinguj, zërin e saj, duartrokitje… Seç e pushtonte një afsh… Sikur mbulohej nga një dritë yjesh… Dhe… ndiente sa mall po aq dhe brengë. Dhe një lot te syri…, dhe një tjetër… Sikur u mësua me heshtjen e padëshirueshme, ndonëse ëndrrat nuk lejonte t’ia prekte kush… Se ishte jeta e saj aty… Jeta e aktores dhe mexosopranes Aneta Nikaj. (Tashmë, ajo ka disa vite që ka ndërruar jetë). Kemi qëmtuar në vitet e saj, dhe kemi mbledhur këto shënime që po paraqesim…

Në çfarëdo moshe që të jetë njeriu, çuditërisht rrëfimin e nis me fëmijërinë. Ndoshta se kujtimet vizatohen me sy të pastër e të sinqertë fëmije. Ashtu bëri edhe Aneta. Ajo më tha: Fëmijëria ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime. Në çast m’u kujtua një thënie e shkrimtarit të shquar francez Alfons Dode: Këtu pashë dritën e kësaj bote dhe këtu i kalova vitet e para, të vetmet vite të mira të jetës sime. Më tej Aneta vazhdoi rrëfimin e saj: Me fëmijërinë e kam filluar jetën, me rininë e kam mbaruar jetën. Koha më e bukur e jetës sime… Ndjeva se zëri i Anetës sikur u drithërua pakëz. Pastaj u kthye në një puhizë pranvere. Pastaj sikur u kthye në petale lulesh. Shumë shpejt kuptova se zëri i saj ende ruante erën e kandshme të luleve që sjell pranvera.

Aneta ishte më e vogla e shtëpisë. Improvizimet e saj, lodrat, fjalët, zëri i bukur i saj… mbeten të paharruara në kujtesën e familjes e të farë e fisit. E quajtën të talentuar, dhe nuk ishin gabuar. Shumë nga farë e fisi i saj merreshin me art. Më kryesori ishte i vëllai, Ndoci. Zëri i violinës së tij mbeti i regjistruar në kujtesën e motrës, për t’u mos u fshirë kurrë. Babai i binte qemales, ndërsa Pjetri  s’mund të rrinte pa kitarën.  Aneta mbulohet e tëra nga kujtimet, teksa përmend shoqet e saj. E në këtë valë kujtimesh, përmend interpretimin e saj si Artiste e madhe në një vjershë satirike “Kish pas kenë motit një plakë” të poetit Gjergj Fishta. Më tej më tregon një fotografi nga mosha e fëmijërisë ku ka luajtur në karnavalet… Më tej më flet për vitet në Shkollën e Murgeshave Stigmatine, në Gjimnazin e Shtetit… Më tej më flet edhe për serenatën e Shubertit (që e dashuronte), ndaj e këndonte pothuaj çdo ditë. (Ndiej shpirtin e saj dhe dëgjoj zërin që e këndon dhe tani).

Filluan dëshirat t’i merrnin jetë. Ja, dhe trokitja në dyert e teatrit. Ndër aktoret e para të Teatrit Popullor. Pati fatin të dialogonte me dy regjisorë të shquar Bozho Nikoliq e Sokrat Mio. Regjisori Nikoliq evidentonte talentin e saj veçanërisht në rrafshin komik. Ndoshta, ngaqë e qeshura i dilte natyrshëm, si dhe formimi i qukave në faqe i jepnin ngjyra gazmore. Fytyra i merrte një ngjyrë prej drite, që vërtet të impresiononte. Pas disa vitesh kthehet në Shkodër. Luan në pjesën Skutarevski. Partner kishte aktorin Ndrek Prela. Kombinonin si tipa. Me mjeshtëri realizonin dialogjet. Ishin të këndshme ato. Në to feksnin larmia e ngjyrave sipas situatave që do të kalonte personazhi. Në këtë pjesë Aneta kishte rolin e një fshatareje ruse që kishte zënë merak në shkencën e Skutarevskit, por jo në të. Dhe shoqja e saj (roli interpretohej nga Çezarina Çiftja) ishte e pafat në xhelozinë e saj.

Një rol tjetër i Anetës ka qenë te drama Nën gështenjat e Pragës. Ajo skenë, ku shndritte luksi, po ashtu salloni, kënga që prekte shpirtin… (të cilat në jetën e përditshme ishin preferencat e saj), sikur ishin bërë enkas për të. Kishte një duet me aktorin Paulin Lacaj, sikur ishin të fejuar, megjithëse nuk kombinonin. Dhe Aneta kujton, sidomos atë këngë që këndonte në piano, aty nën ‘Gështenjat e Pragës’. Se melodinë e zgjodhi vetë Aneta, ndërsa fjalët e tekstit i bëri Henrik Lacaj. Pastaj Aneta duke i rënë pianos e duke kënduar… me atë petkun e gjatë ngjyrë qielli gjer në fund të këmbëve… si atëherë dhe tani bëri të më harrojë që më kishte përballë, dhe me zë të ulët nisi të këndojë ëmbël. Mua m’u duk sikur në tavolinën tonë erdhën një tufëz bilbilash që këndonin përmes kujtimeve që nuk harrohen lehtë.

Në dramën Portreti të A. Afinogiekov, nëntor 1945; regjisori Andrea Skanjeti ishte i mendimit t’i jepte Anetës rolin kryesor. Jo – i përgjigjet Aneta. S’e shoh veten në këtë rol. E shoh veten në rolin e piktores.(Ishte një personazh që rrinte tërë  kohën në skenë. Nuk fliste një fjalë dhe rrinte duke vizatuar. I bënte portretin protagonistes). Pra, - vazhdon rrefimin Aneta, - gjithnjë kam interpretuar role, ku kam gjetur veten time. Jashtë vetes sime, jo. Nuk kam kërkuar kurrë të jem artificiale, por gjithmonë bindëse dhe reale. Aneta interpretoi rolin e Files te melodrama Dasma shkodrane të Andrea Skanjetit, 15 shtator 1947. Ajo kujton një varg nga kori që këndonte: Do të marr, o do të marr, moj File.

Jo vetëm kaq, por edhe kur vepra ishte në dorëshkrim, Andrea (autori dhe regjisori) konsultohej gjithëherë me pleqtë e qytetit të tij të lindjes. Një ditë erdhi edhe te shtëpia e Anetës. Bisedoi me nënën e saj, e cila, gjithashtu, kishte një zë të bukur. Më mirë le t’i hapë petalet lulja-kujtim, siç thoshte Aneta: “Nëna i thotë se ne kemi kënduar një këngë që është mjaft simbolike dhe flet për fillimin e pranverës me bulimin e gjethit të manit. Dhe kënga është: “Buloi mani xhonxhafil”. Është një duet i bukur me nënën. Kam shumë emocion, kur e kujtoj… Ç’të them… Baba, aty, te shkalla, kori që më shoqëronte bukur muzikalisht, ndërsa ecja si nuse e veshur me degërmi, duke lënë pas një dekor me shtëpi karakteristike shkodrane, shtregulla me kujtime të largëta fëmijërie… Pastaj…, eh, pastaj!.. I thashë lamtumirë dasmës… Në një kohë që unë kisha aq ëndrra të bukura, të cilat m’i tremben, m’i frikësuan, m’i vranë…”  .

Opera “Mrika”. Aneta kishte rolin e nënës Marë (mexosoprane). Aneta përsëri kujton e rrëfen: “Nuk e di se si ta shpjegoj, 17 vjet pa dalë në skenë. 17 vjet e shkëputur nga jeta muzikore. Unë që e dashuroja gjer në shpirt muzikën… Ja, pas pak do të dilja, përsëri, në skenë. M’u duk vetja e njohur dhe e panjohur njëkohësisht. Më vërshuan kujtimet, emocionet… Isha e vetme mexosoprane. Nuk kisha dublante. Kisha punuar shumë, shumë… Më dridhej zemra, kur dëgjoja muzikë. Isha si e etur. S’ngopesha… Përmallohesha, humbisja… Më dukej vetja sikur rendja në hapësirë, në një hapësirë pa kufi… Ndoshta nga që më kishte marrë malli për këngën e skenën, edhe pse e vrarë në shpirt.”  Nënë Mara po ringjallte shpirtin e Anetës!..

Kontributi i Anetës është i ndjeshëm edhe në teatrin e kukullave. 15 vjet vjet në këtë teatër magjie. Aq e dashuruar ishte Aneta edhe pas kukullave, sa bëri pjesëtarë edhe fëmijët e saj: Jozin me interpretimet e bukura dhe Francin me dekoret plot shije dhe fantazi, e deri edhe në skenat rrotulluese si risi për këtë teatër… Aneta kujton:

Çika”, ishte një pjesë ku kisha rolin kryesor, e që mbysja balozin e zi; te “Dhitë e egra” të Kolë Jakovës, po gjithashtu kisha një rol. Kjo pjesë ishte një melodramë e bukur. Zakonisht për pjesët e kukullave kompozimet e këngëve ose shoqërimet muzikore të personazheve apo të situatave të ndryshme, na i bënte Artisti i paharruar Prenkë Jakova. Shpesh Prenka qeshte e më thoshte: “Netë, thuaj se e thua bukur: “E e e po ia bën plaku”. E më pas gazi nuk ndalej. I kam dashur shumë fëmijët, botën e tyre. Ajo botë është e pastër si një pikë loti, e pafundme, e magjishme… Sepse vetë magji ishte dhe Teatri i Kukullave, që edhe këtë e kisha për zemër.

Përsëri kujtime…    

Kam luajtur në operetën “Dy cirka të arta”. Unë isha Ora-magjistare, kurse një shoqe imja Karolina Kaçinari ishte Mbrëtresha… Kam luajtur edhe tek pjesët: “E kremtja e të dielave”, “Ruba e kuqe”, “Rozafa”, “Shkodra e rrethueme”… Një ditë shkova te Dom Mikel Koliqi. I thashë: A i ke ndokund partiturat e melodramave të tua?”Ai m’u përgjigj: Shyqyr që kam shpëtu vetë, kurse për partiturat dihen… humbën. I thashë: Nuk të kanë humbur! I kam në zemër, shpirt e në veshët e mi!  Si?– më pyeti i çuditur Dom Mikel Koliqi. Po nuk kanë humb… Unë i di përmendsh të tri melodramat tuaja, Dom Mikel… Më vonë erdhën dy muzikantë të njohur dhe më inçizuan. Edhe ata, vetë, u habitën… si kishte mundësi. Por ja që ka mundësi. Unë s’bëra asnjë gabim. I hodhën në partitura. Më vonë, përsëri të njëjta i gjetën në partiturat e kompozitorit të talentuar Tonin Harapi.

Me Ana Kçirën, një aktore të talentuar të teatrit të kukullave, kam qenë në shkollën fillore.  Ishte një vajzë e qeshur. Ishte tamam si një zog, që donte hapësirë për të fluturuar…

Dhe… kur isha aktore në Tiranë, një ditë papritur takoj Anën.

-Netë, më bisedo për teatër… - më thotë ajo.

-Do të bëj çmos, - i thashë.

Bisedova me Xhemal Brojën dhe Sokrat Mion. Në fakt, nuk kishte role për të, jo pse nuk kishte talent, se vërtet ishte e talentuar, por… ishte e vovërr nga trupi, si një fëmijë, fytyrqeshur e me flokët kaçurrela. Ishte e imët, e imët… Edhe sytë i qeshnin… Edhe shpirti… Një ditë e pa Sokrat Mio, e i tha: Kjo vajzë na duhet. Kam idenë se rolet e fëmijëve duhet t’i luaj bukur…” Regjisori Mio nuk ishte gabuar. Unë ika nga teatri, Ana hyri. Pra një A iku, një A hyri. (qesh) Unë kujtoja me mall rolet, ajo krijonte role të rinj. Ana shkëlqeu në shumë interpretime personazhesh, por i paharruar do të mbetet Pinoku i Kolodit. Pinokut i dha talentin e saj dhe ai udhëtoi si një personazh për t’u mos harruar…

Biseda e bërë me Anetën para disa vitesh, me Anetën 73 vjeçare mbetet si një relike e çmueshme.Ajo, ka disa vite që ka ndërruar jetë. U mundova të sjell ca copëza jete nga jeta e saj.

E, çfarë kujtoj nga ajo bisedë?..

E qeshura e saj e herëpashereshme, sikur sillte pranë ëndrrat e bukura që kishte pasur dikur… I pëlqente humori. I pëlqente të jetonte me kujtime. Për këtë arsye rikujtonte duetet që bënte me Klean (këngëtaren e talentuar Klotilda Shantojën), më vizatoi portretin e Albina Dajçit: e bukur, elegante, syzezë; këndonte për ta pasur zili, Selestrën, murgeshën që I binte bukur pianos, Njomin të shoqen e Andrea Skanjetit që me aq finesë dhe art bënte veshjet e kukullave…, mbrëmjet argëtuese të Shoqërisë “Rozafat”, e pse jo dhe udhëtimet e trishtuara e plot plagë në zemër, po edhe në zemrën e maleve të Peshkopisë e maleve të Kurveleshit… ato vite që i sollën shumë lot në faqe. E shihja “të rrethuar” nga kujtimet. Bisedonte me to… E në këtë bisedë që vetëm ajo dinte ta bënte e ta rrëfente, unë shihja se Aneta Nikaj jetonte, dashuronte jetën…Po, Aneta jetonte… se kujtime janë jetë./shqiptarja.com/

    Data: 22 Korrik 2018 10:15
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera