Urimet e politikës shqiptare për ditën e Gruas


08/03/2019

Edhe politika shqiptare u bë pjesë e urimeve për këtë ditë.

Ndër të parët që reagoi ishte kryeministri Edi Rama.

“MIRËMËNGJES

dhe një 8 Mars të gëzuar për të gjitha gratë dhe vajzat”, shkroi Rama duke postuar një foto krah nënës Anetës dhe bashkëshortes, Lindës.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shkruan: Qoftë i dielltë si ky 8 mars çdo ditë e grave shqiptare! E nënave tona që me sakrificë sublime na kanë rritur e shkolluar në kushte tejet të vështira. E nënave dhe grave që vuajtën në ferrin komunist, që mes torturave dhe internimeve sakrifikuan për bijtë e tyre!

Qofshin të diellta të gjithë ditët e vitit për ato gra e vajza që përpiqen fort për familjet e tyre! Që çdo ditë sakrifikojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Për ato gra që shpesh harrojnë veten për familjet, që gjejnë kohën të jenë zonja të shtëpisë, nëna dhe bashkëshorte. Që janë të bukura në lodhjen e tyre dhe të shenjta në përpjekjet për të mbrojtur familjet!

Qofshi të lumtura gratë e Shqipërisë kudo ku jeni! Zoti ju dhëntë forcë e kurajo për të përballuar sfidat e vështira të jetës.

Ju jeni burimi i jetës dhe mishërimi i paqes, ndaj meritoni të keni çdo ditë nga një urim dhe falenderim për atë që jeni!

Edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u bë pjesë e urimeve.

“Të gjithë përulemi me respekt e nderim të thellë para grave dhe vajzave shqiptare dhe kontributit të tyre për forcimin e familjes, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Një urim të veçantë kam për gratë dhe vajzat shqiptare në Diasporë dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur e zhvilluar identitetin, vlerat dhe kulturën shqiptare. Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm çështje e tyre, por çështje  e të gjithë shoqërisë. Fuqizimi ekonomik i grave sjell zhvillim, mirëqenie e demokratizim dhe ngushton pabarazinë. Barazia gjinore është kuintesenca e barazisë dhe drejtësisë sociale.

Por thelbi i barazisë gjinore është barazia ekonomike dhe për këtë duhet të punojmë e t’i përkushtohemi më shumë.  Arsimi dhe punësimi janë rrugët më produktive të fuqizimit të grave dhe vajzave. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë po harton ligje që mbështesin, nxisin e favorizojnë  pjesëmarrjen ekonomike e shoqërore të grave dhe vajzave”,- thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ndërsa urimi i ish- kryeministrit Sali Berisha u bë përmes një fotoje sëbashku me bashkëshorten e tij Liri Berisha.

“Gezuar 8 Marsin!

Miq, nje urim nga thellesite e zemres dhe mirenjohje te pakufishme per me te mirat e familjeve tona, shoqerise dhe kombit tone. Gezuar!”, shkruan Berisha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha shkruan se 8 marsi është një ditë e veçantë për të kujtuar dhe reflektuar mbi sakrificën e përditshme të nënave, grave e vajzave në vendin tonë.

“Sakrificën për të përballuar kushtet e vështira ekonomike e pasigurinë, sakrificën për të rritur dhe edukuar fëmijët, sakrificën e përditshme të mijëra nënave për të siguruar ushqimin e mjaftueshëm për fëmijët e tyre, sakrificën për të gjetur një punë, sakrificën e atyre që punojnë në kushte të vështira e me paga të pamjaftueshme për të paguar as ujin e energjinë e rritu, për të kujtuar sakrificën e nënave që punuan një jetë, por pensionin e kanë të pamjaftueshëm edhe për të blerë ilaçe.

Kjo është edhe një ditë-reflektim për atë që duhet të bëjmë për gruan, për t’i garantuar një jetë më të mirë, vende pune me kushte dhe paga më të mira. Mundësi për arsimim të fëmijëve pavarësisht kushteve të tyre ekonomike. Ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi grave të kenë peshën dhe rolin që meritojnë në shoqërinë tonë”, shprehet Basha./Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart