Testi kombëtar i ciklit të ulët në Shqipëri, eksperiment i rrezikshëm për fëmijët


01/06/2017

Ky testim u zhvilla sipas një urdhëri të nxjerrë në 2016 nga ministrja e Arsimit dhe Sportit të asaj kohë Lindita Nikolla.

Por nga një vëzhgim i bërë nga BOOM, rezulton se ky testim nuk ka qenë i detyrueshëm, por fakultativ. Pra nxënësit kanë pasur të drejtë të vendosin nëse do të marrin pjesë në këtë testim apo jo. Por nga informacionet që BOOM disponon, fëmijët nuk janë informuar. Kjo ka sjellë frikë dhe ankth tek nxënësit, të cilët janë shprehur se kanë qenë gjatë gjithë kohës të stresuar. 

Nxënësit e shkollës “Kushtrimi i lirisë” në Tiranë i thanë gazetares së BOOM se nuk ju kanë thënë që është në zgjedhjen e tyre ardhja ose jo në këtë provim. Ata kanë thënë se janë porositur nga mësuesit kujdestarë të mos mungojnë.
Gazetarja e BOOM pyeti edhe nëndrejtorin e shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, i cili ka thënë që nuk i kemi detyruar të vijnë po i kemi thënë: Mos kini frikë, nuk ka notë, çfarë nuk dini lëreni.

Çfarë thotë urdhëri i ministrisë së Arsimit?

Me urdhrin numër 167 datë 11.04.2016 Ministrja e Arsimit dhe Sportit të asaj kohe Lindita Nikolla, urdhëroi miratimin e rregullores për procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor.

Në nenin dy të kësaj rregulloreje thuhej:

“Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor është një vlerësim i arritjeve të nxënësve të klasës së pestë të arsimit fillor, në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe shkenca”.

Ndërsa në nenin tre të po këtij urdhri sqarohet:

Nxënësi ka të drejtë të marrë pjesë në VANAF (vlerësimin e arritjeve të nxënësve  në arsimin fillor) kur është kalues në klasën e pestë.

Gazetarja: Mësuesit ju thanë që në këtë test ju keni të drejtë ose të vini ose të mos vini në provim?

Nxënës: Jo nuk na thanë. Na tha ju e keni me detyrim të vini.

Gazetarja: Kush ju tha kështu?

Nxënës: Mësuesja.

Gazetarja: Kush mësuese?

Nxënës: Mësuesja kujdestare

Gazetarja: A ju thanë mësuesit se është e drejta juaj që duhet të vini ose jo në këtë provim?

Nxënës: Ne duhet të vinim

Gazetarja: Kush ju tha kështu?

Nxënësi 2: Mësuesja

Gazetarja: Si ju tha mësuesja, është një provim ku ju mund të zgjidhni nëse doni ta bëni apo jo, apo është një provim ku duhet të paraqiten të gjithë?

Nxënësi: Në fakt një provim që duhet të paraqitemi me të gjithë.

Gazetarja: Ky ka qenë një testim i padetyrueshëm?

Nëndrejtori i shkollës “Kushtrimi i Lirisë”: I padetyrueshëm dhe mirë që bëhet se i vë në lëvizje. Janë njoftuar pa dyshim madje është thënë që është një provim i zakonshëm

Gazetarja: Testimi ka qenë i detyrueshëm apo të paraqitej kush të donte?

Nëndrejtori i shkollës “Kushtrimi i Lirisë”: Ka qenë një provim i zakonshëm, unë nuk e di pse merreni kaq shumë me këtë.

Stresi i femijeve ne provim. Intervista ne Shkollën  “Misto Mame”, shkollën “Kosova” dhe shkollën “Osman Myderizi” Tiranë.

Nxënës: Kishim 48 pyetje dhe kishim kohë 1 orë e 30 minuta. Kur fillova kisha shumë frikë. Ishte i vështirë se kishte pyetje nga tre lëndë.

Nxënës: Testi ishte pak i vështirë .

Nxënës: Kur fillova kisha shumë frikë. Ishte i vështirë se kishte pyetje nga tre lëndë .

Nxënës: 48 pyetje, ishte pak i vështirë 48 pyetje kishim 1 orë e 30 minuta kohë, kur kam frikë më bëhet barku sikur kam flutura.

Nxënës: Pyetjet ishin të lehta vetëm se kishte shumë faqe. Frikë kemi ndjerë, shumë frikë, na filloj pak dhimbja e kokës.

Nxënës: Provimi ishte i thjeshtë po isha në stres. Te disa pyetje ngela nuk isha e qetë, vetëm stresi më bëntë, mësuesja na qetësonte mos kini frikë.

Nxënës: Ndjenim ankth, po dridhesha.

Nxënës: Ne nuk jemi fëmijë që mund të përballojmë kaq shumë stres.

Nxënës: Më dridheshin pak këmbët, kur erdhi testi nuk ndjeva shumë ankth.

Nxënës: Pyetjet ishin të përziera dhe ishte stres se mund të ngatërroheshim.

Ata u shprehën se u kanë qëndruar  afër, mësuesit dhe prindërit, psikolog nuk kemi pasur ditën e provimit

Intervista me mësuesen kujdestare të njërës prej klasave të pesta në shkollën “Misto Mame”

Brunilda Harjo, mësuese shkolla “Misto Mame”: Fëmijët e klasave të pesta u përballën me testin e parë i cili është një vlerësues i jashtëm, një vlerësues për arritjet e tyre në arsimit fillor. Në fakt shkolla parapërgatitjet për këtë test i ka filluar që më përpara me teste të organizuara të një objektivi pak më të lartë për arritje dhe më të larta. Ankthi i fëmijëve ka qenë shumë i madh. Në mëngjes u përballëm  dhe me lotët dhe me një gjendje emocionale pak të luhatur, por mësuesit e ciklit fillor i pritën fëmijët për t’i dhënë  një mbështetje dhe në momentin që fëmijët hyn në test, ata u larguan.Nxënësit testohen në lëndën e Matematikës, Gjuhës dhe Diturisë për të bërë vlerësimin në këto tre lëndë bazë të arsimit fillor.

Gazetarja: Është shtuar një provim si provimi i lirimit pak a shumë?

Brunilda Harjo, mësuese shkolla “Misto Mame”: Po dhe në  ato pika që ne i ndjejmë të dobëta në testim, ato bëhen objektiva të tjera për vitet në vazhdim.

Gazetarja: Është një provim për nxënësit apo edhe për mësuesit?

Brunilda Harjo, mësuese shkolla “Misto Mame”: Unë mendoj që është për nxënësit dhe për arritjet e tyre sesa të mësuesit.

Gazetarja: A përbën pak vështirësi tre lëndë në provim për nxënësit?

Brunilda Harjo, mësuese shkolla “Misto Mame”:  Jo, koha është dhënë e mjaftueshme.Në bashkëpunim me psikologen  dhe punonjësen sociale në kemi nisur punën që më përpara, kemi bërë dhe teste provë. Sot psikologë nuk ka pasur se nuk na lejohej, kanë qenë mësues të jashtëm.  

Intervista me psikologen e shkollës “Osman Myderizi” Manjola Kumria 

Gazetarja: Si ndihet një fëmijë, cilat janë simptomat e tyre kur kanë stresin para provimeve?

Manjola Kumria, Psikologe shkollore: Po marr shembullin konkret klasat e pesta kanë pasur provim sezonal që aplikohet prej dy vjetësh dhe disa nga simptomat e fëmijëve më të vegjël ishin më dhemb pak stomaku, kam dhimbje barku, sikur po më merret fryma, të dal të marrë një shishe me ujë, të shkoj pak në banjë megjithatë kur u ulën dhe ju shëpërnda stresi filloj të reduktohej stresi.

Gazetarja: Sa ndikon në rezultatin e testit ky stres?

Manjola Kumria, Psikologe shkollore: Sigurisht që po kapaciteti i fëmijës mund të jetë 100 përqind riprodhues që fëmija mund të ketë mësuar , por reduktohet si pasojë e stresit. 20, 30 përqind është menaxhimi i situatës. Ndikon….dikush ka harruar pyetjen e parë , ka kaluar tek e dyta, s`ka përfunduar të dytën. Ndikon dhe ne prandaj ne mundohemi ta reduktojmë paraprakisht sa të mundemi këtë pjesë.

Teknikat që përdorim për uljen e stresin janë:

Manjola Kumria, Psikologe shkollore: Shpesh shpërndajmë broshura informuese për nxënësit, mendojmë të bëjmë projekte të menaxhueshme nga vetë ata si mund të përballojnë stresin, mundohemi të aplikojmë teknika të menaxhimit në grup për ata nxënës që janë njëçik më të përfshirë në emocione.

Intervista në Ora News me drejtoren e AKP Rezana Vrapi, ditën e provimit

Rezana Vrapi, Drejtoresha e AKP: Nuk është synimi që ata thjesht te jenë kalues apo mbetës por bëhet për një arsye tjetër, për të parë më saktë dhe më qartë, qoftë ministria qoftë gjithë sistemi ynë arsimor, pikat e forta dhe të dobëta që këta nxënës kanë me idenë për të përmirësuar në vitet që vijnë cilësinë e mësimdhënies në shkollë. Pra është test nëpërmjet të cilit ne bëjmë një diagnostikim. Në përfundim të veprimtarisë ne hartojmë një raport. Raporti nga qendra i shpërndahet  DAR, Ministrisë së Arsimit, Institutit të zhvillimit të kurrikulës për të hartuar politika, pasi të dhënat tona janë të dhëna të sakta dhe tregojnë në detaje çfarë këta nxënës janë në gjendje të bëjnë mirë, shumë mirë apo dobët. Kështu të gjitha institucionet në bazë të kësaj, ndërtojnë politikat e tyre të trajnimit të mësuesve, të lehtësimit të ngarkesës mësimore, të kualifikimit të mësuesve edhe të procesit të mësimdhënies në klasë.

Gazetarja: Edhe pse thoni nuk është një provim detyrues, ky tashmë është  kthyer në provim detyrues?

Rezana Vrapi, Drejtoresha e AKP: Vitin e kaluar kemi pasur vetëm 100 mungesa, që nuk është asgjë, pra një numër shumë i vogël në rang kombëtar.Pra vetë prindërit dhe mësuesit janë të interesuar për të ditur nivelin e fëmijëve apo nxënëse të tyre.

/Oranews.tv/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart