“T’i përqafojë shumë”, gruaja i mori fëmijët, babai kërkon ndihmë


19/02/2019

Babai i dëshpëruar nuk ka arritur dot nëpërmjet institucioneve ti jap zgjidhje kësaj situate. Pas divorcit në Kosovë, gjykata vendosi që djali të ishte në ngarkim të Korabit, dhe nënës iu caktuan ditë për ta takuar të birin si dhe detyrimi ushqimor, por këtu nis edhe drama e këtij babai i cili prej 7 vitesh nuk e sheh të birin. Ish-bashkëshortja sipas tij e ka marrë djalin dhe tashmë ajo jeton në Zvicër, duke ndërprerë çdo lloj komunikim me 36-vjeçarin.

Por Korabi duke rrëfyer historinë e tij, ditën e djeshme më 19 shkurt vërtetoi edhe dyshimet se ishte babai edhe i një vajze. Ai tha se kur janë ndarë gruaja e tij ishte shtatzënë por më pas i ka thënë atij se e ka abortuar. Lidhur me këtë fakt në një lidhje telefonike xhaxhai i ish-gruas së tij, tha për emisionin “Me zemër të hapur” se mbesa e tij e ka sjellë në jetë vajzën . “Në dijeninë time, Korabi ka dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Edhe vajza është e tij”, tha xhaxhai i ish-bashkëshortes. Ky konfirmim ka qenë tronditës për Korabin. Sot ai u rikthye në emision për kërkuar ndihmë do të të rifitojë fëmijët, dhe të ushtrojë të drejtën e prindërimit.

“Dua të vendos kontaktet me ish-bashkëshorten dhe të shikoj fëmijët e mi. Vajza mund të ketë lindur në qershor 2012 sipas llogarive të mia. Unë nuk kam parë kurrë interesin tim por të familjes. Nuk më ka interesuar pasuria materiale por familja. Ua kam lënë çelësat e shtëpisë, iu kam dhënë para por nuk mund të bëja çfarë thoshte babai i gruas sime. Unë e kam dashur dhe prej saj shkova në Zvicër”, tregoi Korabi sërish.

Ai tha se kërkon ndihmë si mund të shohë fëmijët e tij por se nuk do të rikthehet sërish me ish-gruan.“Ne kemi dy fëmijë dhe ajo do gëzojë respekt nga unë. Unë dua të kem kontakte për shkak të fëmijëve por jo të kthehem me të”, tha Korabi.
Ndërkohë në lidhje live me telefon në News24 ndërhyri një zonjë nga Zvicra, me sa duket që i njeh ligjet dhe i tregoi se çfarë duhet të bënte që të shikonte fëmijët.“Zoti Korab duhet të njoftohet në vendbanimin ku ka qenë në zyrën përkatëse me emrin e djalit të vet dhe më pas e kontaktojnë nënën e fëmijës dhe e bëjnë të mundur që ajo ta çojë djalin tek i ati”, tha gruaja nga Zvicra.

36-vjeçari mori edhe asistencën e avokatit dhe psikologëve të emisionit “Me zemër të hapur”, ndërsa pritet një reagim i mundshëm nga ish-gruaja e tij, e cila deri tani nuk i është përgjigjur ftesës së stafit të emisionit.

Në fund Korabi, me gjithë faktin se ish-gruaja i ka marrë fëmijët prej vitesh dhe nuk e lë t’i shikojë, e porositi t’i përqafojë për të. “Ti përqafojë fëmijët shumë për mua”, ishte mesazhi i tij.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart