Shkollat pa ngrohje, protestë në Gjirokastër


21/01/2019

Shumë prindër kanë refuzuar të sjellin fëmijët e tyre në shkollë deri në krijimin e kushteve. Një pjesë e prindërve thonë se temperaturat e ulëta po rrisin sëmundshmërinë dhe praninë e gripit në shkollë.

Drejtuesi i ndërmarrjes që merret me mirëmbajtjen e shkollave në bashki, Armand Mamani tha se bëhet fjalë për një defekt në sistemin e kaldajës dhe se situata do të normalizohet së shpejti.

Mamani pranoi se kushtet nuk janë optimale për zhvillimin e mësimit në të gjitha shkollat, por tha se nuk mund të kryhen investime të tjera në shkolla për të plotësuar nevojat për vetëm 4-5 ditë të ftohta në vit.

Shkolla “Urani Rumbo” është mes më të rëndësishmeve në qytet me rreth 400 nxënës. Në Gjirokastër, të 14 shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm paraqesin problematika të mbartura ndër vite. Të paktën 5 prej shkollave kërkojnë investime kapitale.

Agjensia e Mirëqenies dhe Kujdesit Social ka bërë disa ndërhyrje restauruese në shkolla vitin e kaluar, por lagështia në klasa dhe problemet me amortizimin e çative nuk mund të mbulohen sipas kësaj agjensie me fonde mirëmbajtjeje.

Prej vitesh Gjirokastra vuan nevojën e ndërtimit të një shkolle të re. Megjithë reduktimin e numrit të nxënësve në nivel qarku prej largimit të popullsisë qyteti i Gjirokastrës po përballet me një përqëndrim të nxënësve që po lënë shkollat e fshatrave dhe po zhvendosen drejt qytetit./Top Channel/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart