"Pse më sheh", si nisi sherri në Yzberisht ku u plagos 20-vjeçari


20/01/2019

Referuar burimeve, personi i cili mbeti i plagosur është 20-vjeçari Klorentin Shehu, ndërsa në momentin që ndodhi ngjarja, zona ishte e populluar.

Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë me dije se rreth orës 17:40 në zonën e Yzberishtit, pas një konflikti të çastit, është plagosur me armë zjarri një i ri rreth 20 vjeç. Mësohet se, fillimisht, dy të rinjtë e përfshirë janë përleshur me njëri-tjetrin dhe për pasojë njëri prej tyre ka qëlluar me armë në drejtim të bashkëmoshatarit.

Uniformat blu bënë të ditur se i riu u transportua menjëherë për në Spitalin e Traumës dhe, fatmirësisht, është jashtë rrezikut për jetën.  Pas veprimeve të para hetimore në vendin e ngjarjes, Policia njoftoi se ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore. Burime thonë se sherri mes të rinjve ka ndodhur për motive të dobëta në rrugën “Rexhep Shala”.

Autori dhe i plagosuri janë konfliktuar mes tyre për një “Pse më sheh”. Fillimisht ata janë konfliktuar fizikisht dhe më pas autori, bashkëmoshatar me Shehun, e ka qëlluar atë me armë zjarri në këmbë, shkruan Panorama.

Pas identifikimit të autorit të kësaj ngjarjeje, e cila fatmirësisht përfundoi pa viktima, uniformat blu shkuan në banesën e autorit ku ushtruan kontroll, por nuk e kanë gjetur në banesë. Ndërkohë, Policia ka marrë dëshminë e personave që kanë qenë dëshmitarë okularë, si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të konfliktit.

POLICIA
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Tiranës, me anë të një deklarate për shtyp, dha detajet e para. Në komunikatën e shpërndarë për mediat, Policia tha se po punohet për kapjen e plagosjes së 20-vjeçarit, Klorentina Shehu. “Sot, rreth orës 17:40, në zonën e Yzberishtit, pas një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë një i ri, rreth 20 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore”, sqaroi Policia pas ngjarjes.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart