Prokuroria shqiptare ecën sërish në mjegull, video- përgjimi i Alizotit është i paplotë


14/10/2018

Grupi hetimor nuk ka mundur të gjejë dhe të administrojë videon bruto ku Fredi Alizoti është xhiruar duke u shprehur se ishte sjellë në Tiranë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu.

Gjithashtu prokuroret nuk kanë as mjetin me të cilin është kryer regjistrimi pasi në këtë mënyrë do të përfitohej edhe materiali i paprekur. Aktualisht hetuesit kanë mundur të administrojnë vetëm videon, e cila u transmetua në emisionin “Opinion” në Tv Klan, nga deputeti Ervin Salianji. I njëjti material është sekuestruar edhe ne selinë e Partisë Demokratike.

Për nevojë të këtij hetimi u pyet te premten në prokurori deputeti Ervin Salianji. Ai u tha prokuroreve se videon ia kishte sjellë Florenc Hoxha, ish-drejtor i policisë bashkiake dhe i kishte thënë se e kërkonte një person. Hoxha do të thërritet për tu pyetur nga grupi hetimor pasi është person i rëndësishëm për hetimin. Nga dëshmia e tij prokurorët do të mësojnë se si ai ka rënë në zotërim të videos.

Në dëshminë e të enjtes dhënë në prokurori Fredi Alizoti i qëndroi deklarimeve të para dhe konfirmoi se ka bërë ai rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjim. Ndërsa sqaroi se video e dytë e publikuar nga deputeti Salianji është më e gjatë se aq. Gjithashtu Alzioti pohoi se në tavolinë me të kur është bërë video ka qenë Florenc Hoxha dhe se ai nuk ishte ne dijeni se po regjistrohej./Klan

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart