Meta: Shqipëria është një vend që ka diell për të gjithë, ta duam më shumë njëri-tjetrin


02/03/2019

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti i Republikës vuri në dukje: 

“Skënderbeu do të mbetet shqiptari më i gjallë ndër të gjallët!”, – ka thënë me të drejtë Fan Noli. Sepse është figura më shpëtimtare dhe më frymëzuese për mbijetesë dhe afirmim të kombit tonë, por njëkohësisht na ka lënë si testament jo vetëm domosdoshmërinë e bashkimit për t’u qëndruar sfidave të kohës, por ka përcaktuar edhe identitetin tonë europian si dhe rrugën europiane të shqiptarëve.

Me këtë rast do të dëshiroja të shprehja falënderimin më të përzemërt për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët me aq mençuri, pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive për çështje të caktuara të Marrëveshjes së Prespës, arritën të çelin rrugën europiane, rrugë që do të garantojë të gjithë plotësimin e të drejtave të tyre si qytetarë europianë.

Uroj, shpresoj dhe besoj se ky Kuvend i Lezhës, për mesazhin që na sjell nga thellësia e historisë, – mesazh që në kohët më të vështira i ka ndihmuar të gjithë shqiptarët për reflektim, – të na ndihmojë edhe ne të gjithëve për t’u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta e për t’i thënë një ‘Po’ të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, bashkë me Maqedoninë e Veriut në qershorin që po vjen. Jam i bindur se kjo është edhe një kërkesë e të gjithë përfaqësuesve tanë të dashur nga Diaspora jonë kudo prej nga kanë ardhur.”, – u shpreh Presidenti Meta.

Gjithashtu Kreu i Shtetit tha gjatë fjalës së Tij se:

“Nuk pata mundësi të isha më shpejt mes jush për shkak të një vizite të programuar në Egjipt, por edhe atje pata kënaqësinë të takoja diasporën tonë të vjetër e të re, disa përfaqësues të së cilës ishin edhe në Samitin e Diasporës në Tiranë si dhe të njihesha me kontributin historik të shqiptarëve jo vetëm për zhvillimin dhe modernizimin e Egjiptit, por mbi të gjitha edhe për Rilindjen tonë Kombëtare, për Pavarësinë e Shqipërisë dhe për çështjen shqiptare në vazhdimësi e deri në ditët tona.

Por ajo që më la përshtypjet më të thella ishte respekti dhe adhurimi i egjiptianëve që nga presidenti, kryeministri, kryetari i Parlamentit e deri te qytetarët më të thjeshtë për një shqiptar të madh, i cili e ndërtoi realisht shtetit modern të Egjiptit, për Mehmet Ali Pashën. Në kujtimet e tij, Konsulli francez i asaj kohe, Mourriez shkruante se ‘ E pyeta Mehmet Aliun pse thoshte aq shpesh se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj: ‘Sepse kam lindur i tillë, dhe do të vdes i tillë pavarësisht nga përkushtimi im ndaj Egjiptit!’

E përmenda këtë rast, sepse kemi edhe shumë figura të tjera të përmasave të mëdha që e gjithë bota i vlerëson, të cilët kanë qenë shqiptarë, kanë vdekur si shqiptarë, të cilët kanë kontribuar për zhvillimin e vendeve të tjera, por njëkohësisht edhe për të kultivuar dashuri e respekt për shqiptarët kudo në botë, si është ky rast, sikurse ka edhe shumë raste të tjera që ju i dini shumë mirë.

Ashtu sikurse secili prej jush përfaqëson raste të tilla, kudo ku është, kudo ku punon, kudo ku ka një sipërmarrje e një veprimtari. Ajo që na bashkon është se ndihemi të gjithë shqiptarë, pavarësisht se ku jetojmë. Dhe duam të ndihemi edhe më shumë e këtë mund të arrijmë përmes bashkimit dhe fuqizimit të identitetit tonë kombëtar. Ju duke na ndihmuar ne këtu  në Shqipëri me mbështetjen dhe përvojën tuaj, por edhe ne duke qenë më pranë jush kudo ku ju jetoni në botë. Besoj se jemi në një rrugë të drejtë e të mbarë dhe dua të përshëndes edhe Qeverinë, edhe Ministrin e Diasporës për përpjekjet dhe angazhimin e vazhdueshëm në këtë drejtim.

Natyrisht që kjo është një rrugë e gjatë, por besoj se është një rrugë e qëndrueshme dhe e sigurt, që do të na çojë përpara.

Shqipëria është një vend që ka diell si rrallë vende të tjera. Shqipëria është një vend që ka diell për të gjithë shqiptarët. Jo vetëm për ata që jetojnë këtu, por edhe për ata që dëshirojnë të vijnë këtu. 

Mark Gjonaj, një nga përfaqësuesit më të shquar të bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke më folur me shumë dashuri për Shqipërinë, më tha: ‘Pasi të mbaroj karrierën atje, do të kisha shumë dëshirë që të vija e të jetoja në Shqipëri.’

Jam i bindur se këtë dëshirë e kanë edhe shumë të tjerë, ashtu sikurse dëshira jonë është që të rinjtë e Shqipërisë ta shohin të ardhmen, tashmë pas tri dekadash, vetëm këtu. Dhe për këtë ndihma dhe mbështetja juaj është shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, për zhvillimin sidomos të disa degëve, që kanë një vlerë të shtuar në ekonomi dhe që mund të ofrojnë vende pune më të mira e më të mirëpaguara, në mënyrë që të rinjtë tanë ta gjejnë veten këtu. Por për këtë na duhet të jemi pak më të dashur me njëri-tjetrin. Dhe na duhet ta gjykojmë më pak njëri-tjetrin. E për këtë do të na ndihmonte thënia shumë e mençur e Shën Nënë Terezës, një figure tjetër shumë e madhe e kombit tonë, të cilën ia kemi dhënë të gjithë njerëzimit, por së cilës duhet t’i kthehemi herë pas here. E cila thonte: ‘Po t’i gjykojmë të tjerët pa fund, nuk do të na mbetet kohë për t’i dashur ata.’

Kështu që ta gjykojmë njëri-tjetrin më pak, ta duam më shumë dhe jam i sigurtë se kjo është rruga e suksesit të përbashkët. Kjo është rruga e afirmimit të shqiptarëve kudo ku jetojnë, në Shqipëri e kudo në Diasporë. 

Kjo është rruga edhe e afirmimit të mëtejshëm të Kosovës, dhe kjo është rruga e vetme, që na bën ne shqiptarëve që të jemi kombi me një të ardhme të ndritshme e të pandalshme. E kjo rrugë e ka burimin te ‘Besëlidhja e Lezhës’, e ka burimin te mesazhi që dha Gjergj Kastrioti Skënderbeu, se vetëm duke qenë të bashkuar do të mund të ecim përpara, dhe do të mundemi të kemi përparimin që dëshirojmë të gjithë.” – theksoi Presidenti i Republikës.

“Me këtë rast, duke ju uruar edhe një herë mbarësi dhe suksese të gjithë qytetarëve të Lezhës, por njëkohësisht edhe të gjithë bashkatdhetarëve, të cilët na kanë nderuar këto ditë në Shqipëri e në Lezhë, do të dëshiroja të shprehja vlerësimin si President për disa personalitete të Diasporës sonë që janë propozuar nga Ministria e Diasporës në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributet që ata japin për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo ku jetojnë.

Lavdi të përjetshme Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Besëlidhjes së Lezhës!” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Me këtë rast, Presidenti Meta vlerësoi përfaqësues dhe figura të spikatura të Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme: me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” z. Adnan Dibrani, z. Dardan Gashi dhe z. Edmond Ademi.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u çmuan: z. Altin Haxhi, z. Petrit Çeku dhe me Titullin “Naim Frashëri” z. Rexhep Gashi dhe z. Rigels Halili.

Ndërsa me Titullin “Për merita të Veçanta Civile” u dekoruan nga kreu i shtetit: z Kolë Gjoka, z. Fehmi Fetahu, z. Gazmend Gjonbalaj, z. Gani Abazi, z. Tomorr Kokona, z. Ilirian Shima, z. Oltjon Çobani, znj. Ersida Buraniqi, znj. Ariana Kosova (Hoxha), z. Arian Pano, z. Fatmir Osmani, znj. Ardita Jahja (Hoxha), znj. Mimoza Dako dhe z. Pëllumb Kallaba.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart