Kush është kreu i SHÇBA-së, drejtuesi “hermetik” që tashmë do hetojë policët


22/01/2019

Muhamet RrumbullakuMe urdhër të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shkarkuar nga kjo detyrë Anila Trimi, e cila u emërua në kohën e ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe në vend të saj është emëruar Rrumbullaku. Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, gjatë një takimi paraditen e djeshme me drejtuesit qendrorë të SHÇBA-së, bëri të njohur urdhrin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për ndryshime në nivel drejtues në këtë strukturë.

Kështu, Muhamet Rrumbullaku, me një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, emërohet drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.
Prej disa vitesh ai vijonte detyrën e tij në Akademinë e Sigurisë që kur i transferua në vitin 2013, kur u shkarkua nga detyra e zv.drejtorit të Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike. E më herët kishte drejtuar Policinë e Tiranës.

KARRIERA

Muhamet Rrumbullaku ka pasur një karrierë të gjatë dhe përherë në ngjitje në strukturat e Policisë së Shtetit, duke u konsideruar si një prej drejtuesve më të suksesshëm. Ai ka drejtuar për disa kohë Komisariatin Nr.2 të Policisë së Tiranës, në vitin 2004. Më pas, karriera e tij pësoi ngritje, me emërimin e tij si shef i Krimeve në Drejtorinë e Tiranës në vitin 2005.

Pas një shkëputjeje që zgjati vetëm pak muaj, Rrumbullakut iu besua drejtimi i Policisë së Durrësit. Një detyrë problematike, të cilën ai e mori më 30 tetor 2005, për të ndërtuar një bashkëpunim model me Prokurorinë e qytetit bregdetar dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, deri pak javë para se të emërohej në krye të Policisë së Tiranës.

Nuk dihet sa i angazhuar ka qenë personalisht Muhamet Rrumbullaku në dosjet e veçanta, por zyrtarët e Policisë nuk mohojnë kontributin e tij në goditjet e muajve të fundit të vitit 2005 ndaj grupeve dhe individëve të inkriminuar, që vepronin më parë në qytetin e Durrësit.

Karriera e larmishme, por më shumë se gjithçka puna e realizuar në Durrës, në goditjen e krimit sollën prezantimin e Rrumbullakut para punonjësve të Drejtorisë së Policisë Tiranë në qershor të vitit 2007. Një detyrë, të cilën ai e filloi me njohjen e hollësishme të situatës, çështjeve në hetim, dosjeve të pazbardhura, përpjekjes për të qenë transparent, por edhe hermetik, kur bëhet fjalë për sekretin hetimor./Panorama

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart