Bushati: Tre muajt e ardhshëm janë vendimtarë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE


03/03/2019

Në takimin e Asamblesë së zgjeruar të PS së Qarkut Shkodër përveç detajeve të organizimit për zgjedhjet e 30 qershorit, Bushati foli edhe për krizën politike që po përjeton vendi, duke theksuar se duhet dialog dhe bashkëpunim për integrimin e vendit në BE.

“Diskutuam mbi hapat që po ndërmarrim drejt përzgjedhjes së ekipeve fituese për zgjedhjet vendore dhe zhvillimet e fundit politike. Funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin e popullit për të punuar për një të ardhme të denjë dhe të drejtë. Tre muajt në vijim janë përcaktues për procesin e shumëpritur të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Bushati.
Sipas ish-Kryediplomatit, ky prioritet kombëtar që njëkohësisht është një mundësi për demokratizim të mëtejshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë, “nuk mund të shpërdorohet nga veprimet që synojnë delegjitimimin e institucioneve të zgjedhura me votë”.
Bushati theksoi se zgjedhjet janë të certifikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe refuzimi i dialogut si instrument për të tejkaluar vështirësitë politike dhe riparuar mangësitë e jetës institucionale nuk është një zgjidhje e duhur.
“Dihet që parlamenti doli nga zgjedhjet e 2017-ës, u certifikuan nga OSBE-ODIHR, pra nga një instancë autoritative ndërkombëtare dhe nga ana tjetër ne e dimë, se kemi bërë fushatë këtu, ku zgjedhjet u mbajtën nën drejtimin e një qeverie, e cila në përbërje të saj kishte edhe përfaqësues të PD-së dhe përfaqësues të LSI-së. Dhe të thuash 18 muaj pasi janë bërë zgjedhjet, se zgjedhjet ishin të njollosura dhe parlamenti është ilegjitim, më e pakta që mund të them është që nuk bën më sens dhe është një recetë për ta futur Shqipërinë në një krizë ciklike”, deklaroi Bushati në Asamble.

Top Channel

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart