“Biznesi i vdekjes” Çfarë po ndodh në Shqipëri me varrezat e paligjshme


06/03/2019

Një rast i tillë është krijimi i atyre që quhen varreza private. Sot jemi në një situatë informaliteti të plotë përsa i përket edhe këtyre varrezave.

Ligji shqiptar e njeh të drejtën e ndërtimit të varrezave private që prej vitit 2014 kur u bënë edhe ndryshimet në ligjin “PËR SHËRBIMIN PUBLIK TË VARRIMIT”.

Në nenin 3/B, të këtij ligji u shtua një paragraf për varrezat private duke i hapur kështu rrugën një biznesi të ri në Shqipëri.

Kriteret dhe procedurat për ngritjen e këtyre varrezave janë përcaktuar me 3 vendime të ndryshme të këshillit të ministrave:

Ekzistojnë disa varreza private sot në Shqipëri, por asnjëra prej tyre nuk është ligjore. Janë thjeshtë ndërtime pa leje.

Top Story iu referua një rasti konkret. Këtu jemi në fshatin Bulçesh, në territorin e Bashkisë Kamëz. Këto janë varrezat e këtij fshati dhe të disa fshatërave të tjera në zonën e Bathores. Këtu kemi një situatë absurde. Varreza, është në shërbim të banorëve të bashkisë Kamëz, por është e vendosur në territorin e bashkisë Tiranë. Rruga është kufiri ndarës mes këtyre dy bashkive. Shihet qartë që fshati është në njërën anë të rrugës dhe varrezat në anën tjetër. Pra Bashkia Kamëz administron të gjallët e këtyre fshatërave, ndërsa të vdekurit ia lë në administrim Tiranës.

Problemi më i madh qëndron tek shkeljet ligjore që paraqet ky rast. Trualli i vjetër i këtyre varrezave ka kohë që është mbushur dhe nuk ka më vende të lira. Banorët që kanë pasur tokën bujqësore ngjitur me varrezat janë joshur drejt këtij biznesi të paligjshëm, por shumë fitimprurës. Ata kanë filluar të shesin pjesë pjesë tokën e tyre familjeve që kërkon varre.

“Ato janë banorë të bashkisë së Kamëz. Është plotësuar ai vendi që kanë pasur, dhe për këtë arsye ka lind nevoja për zgjerimin e varrezave. Shkurt. Njerzit duke mos pas rrugëzgjidhje tjetër, kanë menduar ta zgjidhin në këtë formë, të paligjshme”, tha për Top Story Xhavit Xhepa, Njësia Administrative Zall-Herr.

Sot më shumë se gjysma e kësaj varreze është private. Por e paligjshme. Pavarësisht se të varrosurit i përkasin Bashkisë Kamëz, përgjegjësi për këtë ndërtim pa leje, mban Bashkia Tiranë, më saktë, njësia adiminstrative Zall Herr. Kjo njësi administrative e ka zbuluar me shumë vonesë këtë fenomen.

“Në fund të vitit 2017, njësia adiministrative, më saktë zyra e urbanistikës, konstatoi se në një territor, brenda njësisë Zall-Herr, kishte ndërtim të varrezave, nga privatët, menjëherë njësia administrative njoftoi banorin që është pronari i kësaj sipërfaqje dhe iu ndalua menjëherë përdorimi i kësaj toke për varreza”, tha për Top Story Xhavit Xhepa, Njësia Administrative Zall-Herr”.

Bashkia zall herr i shkruan një letër zyrtare, pronarit të tokës në të cilën po ndërtohen këto varreza private, zotit Bajram Sheftelia. Ai njoftohet që ta ndërpresi menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm në të kundërt prona do ti bllokohet nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë. Letra mban datën 5/10/2017. Bashkia Tiranë është informuar me shkrim për këtë problem nga ana e Njesisë Adminisrative Zall Herr, vetëm në dt 05/11/2018. Pra një vit me vonesë.

Por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar. Top Story ishte në këto varreza dhe aty gjetën varre të Janarit 2019. Pra, shitja e tokës bujqësore për varrezë ka vazhduar.

“Ne e kemi pezulluar atë. Që nga tetori i vitit 2017 ai në dijeninë tonë nuk duhet të shesi. Nuk duhet të shesi, por tani…”, tha për Top Story Xhavit Xhepa, Njësia Administrative Zall-Herr”.

Top Story kontakutan edhe vetë pronarin e tokës Zotin Bajram Sheftelia, por nuk pranoi të jepte një intervistë. Nga bisedat jasht kamerave, mësojmë se çmimi në varrezat private është 20 mijë lekë për një varr. Ose 200 mijë të vjetra. Ky është çmimi bazë që aplikohet. Një varr kërkon të paktën 2 m2 tokë.. Pra kjo pronë private, po shitet për varreza, me 10 mijë lekë për m2.

Bajram Sheftelia nuk është i vetmi, pronar në tokën e të cilit po ndërtohen varreza të paligjshme. Prona tjetër ngjitur i përket zotit Besnik Çuni. Edhe ai tashmë ka shitur gati gjysmën e pronës së tij./tch

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart