Bashkia e Tiranës bëhet pjesë e nismës…”Edhe muret kanë veshë”


20/02/2018

Bashkia e Tiranës e ka mbështetur këtë projekt, i cili kurohet nga kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula, dhe synon të sjellë në dritë një copëz historie, përmes përjetimeve personale.

 “Bashkia e Tiranës do të përfshihet në aktivitetet që do të zhvillohen në kryeqytet sepse besoj se nëse nuk i kushtojmë burime në kohë, energji dhe në financa këtij operacioni të pastrimit të vetvetes, humbasim një shans historik. Ndaj, kjo nismë meriton gjithë përgëzimin tonë, ju uroj punë të mbarë dhe mirëpres ta finalizojmë në datën 9 maj, ku jo vetëm përkujtojmë ditën e rënies së fashizmit dhe “Ditën e Europës”, por edhe reflektojmë pak se çfarë solli rënia e fashizmit në Shqipëri. Në shumicën e Europës rënia e fashizmit solli lirinë, kurse në Shqipëri solli pranga të tjera”, u shpreh ai.

“Jemi këtu për të mbledhur mesazhet e pathëna që kanë mbetur gjatë diktaturës, përjetime, vuajtje, shija e kurajës dhe e solidaritetit. Është një projekt i Autoritetit, që bashkë me dosjet, që janë përgjithësisht instrumente të shtypjes dhe denigrimit të personave të rëndësishëm të shoqërisë sonë të asaj kohe, dhe dëshmive gojore, ta themi historinë në 360 gradë. Pra, për të thënë atë që është shkruar, por edhe për atë që është përjetuar në atë kohë”, tha Sula.

Projekti do të mbledhë histori në mbarë vendin, duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart