Kthehu lart

Zgjidhet përbërja e re e Komisionit për Antikorrupsion të Maqedonisë

Zgjidhet përbërja e re e Komisionit për Antikorrupsion të Maqedonisë GazetaExpress

Kuvendi i Maqedonisë sot me 65 vota “për”, 10 "të përmbajtur" dhe asnjë “kundër” i zgjodhi anëtarët e rinj të Komisionit për Antikorrupsion.

Kryetar i Komisionit është zgjedhur Biljana Ivanovska e cila ishte e ranguar më së miri nga kandidatët të cilët kishin konkurruar për këtë vend, ndërsa për anëtarë janë emëruar Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Biljana Ivanovska, Goran Trpenovski, Shemsi Sallai.

Deputeti Jovan Mitrevski nga LSDM-ja gjatë debatit tha se zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komisionit për Antikorrupsion është bërë në mënyrë transparente dhe se ishte pamundësuar çfarëdo lloj lidhje partiake.

Vlladanka Aviroviq, e cila ishte pjesë e Komisionit për Përzgjedhje vlerësoi se është e mirë mënyra në të cilën janë zgjedhur kandidatët dhe se në nivelin më të vogël të mundshëm ishte vendosur subjektivizmi.

“Si deputetë në periudhën e mëtutjeshme duhet të japim kontribut si deputetë që t’i zgjedhim në mënyrë të ngjashme gati të gjitha trupat, agjencitë rregullatore…”, tha Aviroviq.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tha se do të votojnë të përmbajtur që të tregojnë rezervë të caktuar në lidhje me segmentet për pikë joproporcionale të kandidatëve të intervistuar.

“E përshëndesim përfundimin e Komisionit që të publikohen pikët individuale që të mundet edhe opinioni të shohë mospërputhjen në pikë të caktuara”, tha Mickovski, duke shtuar se rezultatet e para reale të këtij komisioni priten në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Propozimi për kryetarë dhe anëtarë të Komisionit për Antikorrupsion sot kaloi edhe në Komisionin parlamentar për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.

Në konkursin publik, nga kandidatët e paraqitur ishin përzgjedhur 57 të cilët ishin intervistuar deri të mërkurën nga ana e Komisionit të veçantë për Përzgjedhje. Secili kandidat mund të fitonte maksimum 100 pikë. Përvoja dhe arritjet në luftën kundër korrupsionit sillnin maksimum 40 pikë, ndërsa 60 kandidatët mund të merrnin në bazë të asaj se si ishin treguar në intervistat.

Në bazë të autorizimeve të reja të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, ai mund ta ndjekë edhe procesin e ardhshëm zgjedhor në pjesën e financimit të partive politike.

    Data: 08 Shkurt 2019 19:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera