VMRO ndërron mendje, nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale


16/01/2019

Mickoski pretendon se deklarat e sekretarit të përgjithshëm VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev për bojkot të presidencialeve është keqinterpretuar.

“VMRO-DPMNE-ja është e qartë dhe e vendosur se do të dal në zgjedhje presidenciale dhe do të fitojë. Dhe këtu nuk ka dilema dhe as që duhet pasur. Ne kërkuam zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse, sot keni deputet të zgjedhur nga populli të cilët mbrohen nga qytetarët me polici. Për çfarë të zgjedhur të popullit bëhet fjalë. Neve kemi kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në kuadër të ligjit garantohet Qeveri e modelit të Përzhinos. Një pjesë e madhe e institucioneve do t’i kenë edhe njerëzit e VMRO-DPMNE-së dhe ata do na garantojnë zgjedhje të rregullta”, deklaroi Mickoski.

Nga ana tjetër, shumica parlamentare akoma është duke bieseduar dhe shqyrtuar kandidaturat për president. As LSDM dhe as BDI nuk kanë konfirmuar nëse kanë propozime ose jo.

Ndërkohë ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov në emisionin 200 në Alsat duke folur për kandidaturën e tij të mundshme për president theksoi se rëndësi ka se çfarë profili i presidentit i duhet vendit.

“Nuk kemi biseduar seriozisht dhe haptazi për këtë, për shkak të procesit. Është shumë me rendësi që t’i mësojmë leksionet nga Ivanovi dhe para se ta shohim se kush do të bëhet, të vlerësojmë se çfarë na duhet. Çfarë profili na duhet”, tha Dimitrovi.

Ditë më parë opozita paralajmëroi bojkotin e punës së Kuvendit dhe zgjedhjeve presidenciale në rast se Qeveria nuk pranon zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

LSDM-ja shprehu gatishmëri për ta shqyrtuar opsionin për zgjedhje por gjithnjë duke pretenduar se vendi do të humb shumë në sferën ekonomike dhe procesin reformues. 

BDI nga ana tjetër ka mohuar kategorikisht mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare duke u thirrur gjithashtu në procesin reformues dhe raportin e Keshillit Evropian për Maqedoninë në muajin qershor.

Kuvendi pritet që më 8 shkurt t’i shpallë zgjedhjet presidenciale të cilat pritet të caktohen për më 21 prill.

Ndërkohë në VMRO vazhdon konkursi për kandidatët e mundshëm emrat e të cilëve do të bëhen të ditur në fund të muajit janar, ndërsa kandidati do të zyrtarizohet në mesin e muajit shkurt në konventën që VMRO-DPMNE-ja do ta mbajë në Strugë.

Kandidaturat është duke i shqyrtuar edhe opozita shqiptare.

Jozyrtarisht partitë opozitare shqiptare janë duke shqyrtuar mundësinë për kandidat të përbashkët. Ato gjithashtu përkrahin idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

/Adrian Kerimi – Alsat/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart