Gruevski dhe Veljanovski dyshohen si organizatorë të dhunës në Kuvend


21/02/2019

Në mesin e të dyshuarve kryesor janë, ish kryeministri Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari dhe ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski. Policia ka ndaluar ish-ministrin e transportit, Mile Janakievski dhe ish ministri i arsimit, Spiro Ristovski.

Ish kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski është marrë në pyetje për rreth dy orë nga ana e policisë, ndërsa më pas është lënë i lirë, derisa Kuvendi të vendosë lidhur me imunitetin e tij pasi është deputet aktual i VMRO DPMNE-së.

Dy ish ministrat janë në arrest ndërsa ish kryeministri, Nikolla Gruevski është i pakapshëm për shkak se ka fituar azilin politik në Hungari .

Vendimi për ndalimin e tyre vjen një ditë para se të përfundoj procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për dhunën në Kuvend.

Nga rreth 30 persona të akuzuar për ngjarjen e dhunshme të pushtimit të Kuvendit, disa prej kanë përfituar nga amnistia, ndërsa për një pjesë është duke vazhduar gjykimi.

Disa nga të pandehurit në dëshmitë e tyre kishin përmendur edhe emrin e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski si nga organizatorët e ndërhyrjes së protestuesve në Kuvend.

Por, Veljanovski këto pretendime i kishte mohuar duke thënë se ditën kritike ai kishte vepruar në përputhje me autorizimeve dhe se kishte bërë gjithçka për të mbrojtur deputetët nga sulmet e protestuesve.

Dhuna në Kuvend, sipas protestueseve dhe VMRO-DPMNE-së kishte ardhur në shenjë pakënaqësie nga zgjedhja e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, i cili kishte mbështetjen e LSDM-së, së kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Nga dhuna në Kuvend ishin lënduar shumë persona ndërsa më së shumti e kishin pësuar, Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe kryeministri Zoran Zaev, në atë kohë lideri i opozitës./REL/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart