Mjekësia Ligjore ende s’e ka dorëzuar raportin për Deharin në Prokurori


13/11/2016

Rezultatet e autopsisë për Astrit Deharin ende nuk i kanë shkuar Prokurorisë së Prizrenit, e cila është duke u marrë me zbardhjen e vdekjes së dyshimtë të anëtarit të Vetëvendosjes. 

Autopsia është bërë të hënën e kaluar, dy ditë pasi Astrit Dehari kishte ndërruar jetë në paraburgim, ku ndodhej prej 67 ditësh nën dyshimin se kishte kryer sulm me zollë mbi Kuvendin e Kosovës. 

“Së shpejti po pritet që ta marrim raportin e autopsisë. Nuk ka ndonjë datë. Është rekomanduar që sa më shpejtë ta kemi”, ka thënë Prokurori Metush Biraj, për Gazetën Express, të dielën.

Ndërkohë që hetimet mbi shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, tashmë nuk do t’i bëjë vetëm Policia e Prokuroria e Prizrenit. 

Javën e kaluar është marrë vendim që të krijohet një ekip i përbashkët hetimor ku është përfshirë edhe policia qendrore në Prishtinë e cila do të ndihmojë në zbardhjen e rastit Dehari.

Lajmin për themelimin e ekipit të përbashkët hetimor e pati konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha.

“Është formuar një ekip i përbashkët i drejtorisë qendrore të policisë që do ta ndihmojnë drejtorinë rajonale të Prizrenit,. Po punojmë që nga ora 8-24 për ndriçimin e çështjes”, ka thënë Hoxha.

Kryeprokurori bëri të ditur se për hetimin e rrethanave të vdekjes së Deharit është angazhuar edhe një prokurore tjetër.

Askush deri më tash s’ka dhënë dorëheqje apo suspenduar pse një anëtar i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës vdiq në burg. 

Vetëvendosjes e ka bërë fajtor Shtetin e Kosovës dhe kanë konstatuar se Dehari ishte vrarë. Mirëpo, Prokuroria dhe as Mjekësia Ligjore ende nuk e kanë dhënë versionin e tyre bazuar në gjetjet e deritashme. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart