Me shtesat e reja, fëmijët do të kenë nga 33 cent në ditë


10/11/2018

Ekonomisti Safet Merovci për rtv21.tv u shpreh se kjo shumë që pritet t’iu ndahet fëmijëve është pamjaftueshme.

“Nëse për një fëmijë janë 10 euro në muaj, i bie 33 centë në ditë, atëherë kjo shumë flet vetë! Absolutisht e pamjaftueshme!”, tha profesori universitar i Ekonomisë.

Merovci theksoi se shtesat e fëmijëve do të duhej të ndaheshin në përputhje me pagën mesatare në vend ose në përputhje me pagën mesatare në administratën shtetërore.
“Shtesat e fëmijëve duhet të jenë rreth 20% të pagës mesatare në vend e cila është rreth 173 euro, që duhet të vlejë për të gjithë fëmijët njëjtë. Ose të jetë 10% e pagës mesatare në administratën shtetërore që është afërsisht 453 euro. Çka merret si bazë është shumë e rëndësishme! Një duhet të jetë e sigurtë: të gjithë fëmijët duhet të trajtohen dhe të marrin njëjtë!”, u shpreh ekonomisti Merovci.

Ndërsa, analisti Ramush Tahiri e sheh si vendim të mirë, që fëmijët në Kosovë të marrin shtesa mujore.

Kjo sipas tij, duhet të jetë pro lindjeve dhe në përkrahje të familjeve.

“Është shumë mirë që Kosova më në fund ka sistemin e ndihmës materiale për fëmijët aniqë në shumën monetare simbolike. Kjo shtesë për fëmijët duhet të jetë masë e politikës pro natalitetit dhe në përkrahje të familjes dhe brezave të rinj. Shtetet e zhvilluara e kanë një korpus të gjerë të të drejtave në mbrojtjen e përkrahjen e fëmijëve që kanë të bëjnë me politikat shëndetësore, me edukimin dhe shkollimin si dhe orientimin profesional dhe krijimin e kushteve për zhvillim normal e të papenguar dhe sistem sipas kritereve ku shfrytëzohen maksimalisht aftësitë dhe talenti”, tha Tahiri për rtv21.tv.

Por, sipas analistit Tahiri, vetëm dhënia e “pagës” sado modeste apo e lartë që të jetë nuk është e mjaftueshme. Me 61 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim më 07 nëntor është miratuar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Në bazë të kërkesës së deputetes, Donika Kadaj-Bujupi më 15 tetor pati filluar debati parlamentar në lidhje me shtesat e fëmijëve, ku iniciuesja e debatit pati kërkuar që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzoj shtesa. Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka theksuar se sipas buxhetit, shtesat e fëmijëve edhe mund të rriten.

“Sipas mundësive buxhetore, kjo shumë edhe mund të rritet. Bëhet fjalë për rreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë këtë të drejtë. Projekt-rezoluta për shtesat e fëmijëve është një nga hapat e Qeverisjes sime për të zhvilluar politika të qëndrueshme në mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Se në çfarë periudhe kohore Kosova mund të ketë mundësi që të rrisë shtesat e fëmijëve, ekonomisti Merovci sqaroi se çdo rritje e pagave, rrjedhimisht edhe e shtesave të fëmijëve do të duhej të bëhej konform me normën e rritjes ekonomike-rreth 4% çdo vit! Krahasuar me Kosovën, e cila sapo ka miratuar rezolutën për ndarjen e shtesave për fëmijë, shtetet e rajonit: Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia kanë planifikuar që t’i ndryshojnë politikat sociale, duke propozuar rritje të ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijët.

Në Shqipëri këtë vit është premtuar një bonus për të posalindurit, me qëllim që të rritet nataliteti.

Qeveria shqiptare ka lansuar më 26 shtator një politikë të re sociale që do të nxisë rritjen e popullsisë, duke shpërndarë nga janari 2019 një bonus prej 400 mijë lekësh (3.20 euro) për fëmijën e parë, 800 mijë lekësh (6. 41 euro) për fëmijën e dytë dhe 1. 200. 000 mijë lekësh (9.61 euro) për fëmijën e tretë të lindur në çdo familje të Republikës së Shqipërisë.

Në Maqedoni nga janari i vitit 2019, shtesa për fëmijët dhe prindërit e punësuar janë paralajmëruar të ndahen nga Qeveria. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski ka thënë se nga 1 janari i vitit 2019 numri i fëmijëve, të cilët do të shfrytëzojnë kompensimin shtesë prej 3200 sa janë do të rritet në 73 mijë e 500 fëmijë përfitues, pasi sipas tij,  këtë volitshmëri do ta shfrytëzojnë edhe familjet te të cilat njëri prind është i punësuar dhe merr pagë minimale.

Edhe në Serbi këtë vit, më 28 qershor janë miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Ligin për përkrahje financiare familjeve me fëmijë, me të cilat shtohet shtesa financiare për prindërit për fëmijën e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.

Me ligj, siç kanë raportuar mediet serbe është paraparë që prindërit për fëmijën e parë të marrin 100 mijë dinarë (rreth 900 euro), për fëmijën e dytë, 10 mijë dinarë (rreth 90 euro) në muaj, për fëmijën e tretë 12 mijë dinarë (mbi 100 euro) në muaj dhe për fëmijën e katërt (18 mijë dinar) apo mbi 170 euro në muaj, shtesa të cilat do të jepen për fëmijët deri në moshën 10 vjeç.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart