​Limaj: Kushdo që flet jashtë platformës për bisedime nuk flet në emër të Kosovës


21/02/2019

Limaj ka bërë me dije se Delegacioni gjatë hartimit të kësaj platformë ka konsultuar ekspertë vendor e ndërkombëtarë. Kjo platformë, sipas Limajt tanimë është dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës dhe ka marrë mbështetjen e krerëve të institucioneve.

“Presim duke respektuar procedurat parlamentare platforma të jetë në seancë plenare. Aty deputetët do të kenë mundësi që të japin kontributet e tyre. Miratimi i kësaj platforme nga Kuvendi i Kosovës do të thotë se Kosova përfundimisht ka një zë dhe një qëndrim zyrtar në dialogun e mundshëm më Serbinë, gjë që i ka munguar deri me tani Kosovës”, ka thënë Limaj në emisionin “Click”.

Më tutje, Limaj ka thënë se Delegacioni Shtetëror e ka për obligim të raportoj në Komision parlamentar dhe seancë sa herë që deputetët i ftojnë. 

Limaj ka thënë se dokument i hartuar garanton transparencë. Ai ka thënë se për t’u jetësuar marrëveshja eventuale me Serbinë janë paraparë dy instrumente.

“Referendumin dhe votimin në Kuvend. Nuk ka mundësi që kjo të mos kaloj në këto procedura. Një marrëveshje e dëmshme nuk do të votohej as nga qytetarët e as nga deputetët”, ka shtuar Limaj.

Platforma thotë Limaj se është rikonfirmim i një pozicioni politik negociues të Kosovës. Nëse platforma miratohet në Kuvend, Limaj thotë se Kosova e ka një zë dhe kushdo që flet jashtë kësaj platformë nuk flet në emër të Kosovës.

“Për herë të parë Kosova po merr një pozicion të qartë e negociues. Ne e kemi ndërtuar një dokument politik i cili riafirmon bazën juridike dhe vullnetin tonë politikë e negociues të Kosovës. Nevoja për platformë është paraparë që nga viti 2011”, ka theksuar Limaj.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart