LDK-ja pjesë e Qeverisë? Si po i ndryshon qëndrimet Isa Mustafa


17/01/2019

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, po bën postime kontradiktore në rrjetet sociale. Ish-kryeministri një herë thotë se partia e tij nuk bëhet pjesë e Qeverisë aktuale, por më vonë thekson se një gjë e tillë mund të ndodhë nëse ndodh një “rikonfigurim i institucioneve”.

Në statusin e fundit që Mustafa mbrëmë postoi në Facebook, ku ai deklarohet rregullisht, iu përgjigj të gjitha reagimeve që erdhën nga PDK-ja, zyrtarët e së cilës thanë se nuk pranojnë që kjo parti të bëhet pjesë e Qeverisë.

Mustafa dje shkroi se partia e tij nuk bëhet pjesë e kësaj Qeverie, është në opozitë dhe brenda saj nuk ka dy zëra, shkruan Gazeta Express. 

“LDK-ja në asnjë variant dhe me asnjë kusht nuk bëhet pjesë e kësaj Qeverie. Nuk bëhet pjesë e këtij ekipi negocues! Kjo Qeveri duhet të rrëzohet një ditë e më parë. LDK është partia më e madhe në Kosovë. LDK është në opozitë. Është unike dhe nuk i ka dy zëra. Nga opozita LDK e përkrah dialogun me kriteret e definuara në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Po e përsëris dhe ripërsëris një qëndrim të LDK-së që të gjithë e dinë por po mundohen ta manipulojnë për ta dëmtuar LDK-në”, shkroi të mërkurën Mustafa.

Mirëpo, vetëm dy ditë më parë, ai thoshte se pranon të bëhet pjesë e institucioneve nëse ndodh një rikonfigurim i tyre.

Këtë qëndrim ai e shpalosi të hënën kur mbajti mbledhje me Grupin Parlamentar dhe aty fillimisht tha se nëse nuk mbahen zgjedhjet, atëherë LDK-ja do të bëhej pjesë e Qeverisë, por jo e kësaj aktuales.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka platformën dhe dokumentin bazë lidhur me dialogun. Orientimi ynë në atë dokument është se duhet të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të fitohet legjitimiteti politik. Nëse nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i domosdoshëm i cili do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”, ka thënë Mustafa.

Pra, kreu i LDK-së po kërkonte konfigurim të Qeverisë por lojtarët me të cilët ai do të vepronte për krijimin e qeverisë “së konfiguruar” mbeten enigmë.

Analistët politikë gjatë këtyre ditëve thanë se siç e do tradita e LDK-së, mund të ketë në të ardhmen marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, dhe kumbarë i një marrëveshjeje të tillë do të ishte Presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa, Mustafa, pasi foli për konfigurimin e Qeverisë, u kërkoi gazetarëve të mos dilnin me mendimin se LDK-ja do të bëhet pjesë e qeverisë aktuale.

Ai shpjegonte se çka po nënkuptonte kur po thoshte se nëse nuk ka zgjedhje, atëherë LDK-ja pranonte konfigurimin e qeverisë, si metodë për inkuadrim në të.

Sipas Mustafës, duhet të bjerë Qeveria e Haradinajt, e pastaj të ndërmerren veprime ashtu që LDK-ja ta sigurojë dialogun me Serbinë.

“Ju veç mos dilni prej këtu, me bindjen se ne do t’i bashkohemi kësaj qeverie. Kurrë. Atë nuk e thash dhe nuk e them, kësaj qeverie ne nuk do t’i bashkohemi. Rikonfigurimi është punë tjetër, që duhet kjo qeveri me ra dhe pastaj duhet me pa çka duhet ne me bë në mënyrë që ne me siguru dialogun, sepse në asnjë rast LDK-ja nuk është shprehur se do t’i bashkëngjitet kësaj Qeverie”. /Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart