Kuvendi nis sesionin pranveror me seanca të stërngarkuara


18/01/2019

Për shqyrtimin e tyre, Kryesia e Kuvendit sot ka caktuar dy seanca plenare, më 30 dhe 31 janar të këtij viti.

Megjithatë, legjislativi po kritikohet se këtë sesion do ta vazhdojë me avazin e vjetër, pasi shumë seanca plenare kanë mbetur të papërfunduara nga sesioni vjeshtor.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur frikë së Kuvendi do të vazhdojë avazin nga viti i kaluar.

“Kam frikë që do të fillojë avazi i vitit të kaluar, sikurse me sesionin vjeshtor nga shtatori deri në dhjetor, kur të gjitha seancat e hapura, 11 seanca nga 13 shtatori deri në fund të dhjetorit kanë mbetur të hapura”, tha ai.

Sipas Hotit, me 64 pika të renditura për seancat e radhës, siç thotë ai, gati me qëllim po krijohet një tendencë që të zvarriten  çështjet që janë me interes për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, siç është kriza me grevat e shumta në vend.

Gjendja në Kuvend në të njëjtën frymë po vlerësohet edhe nga shoqëria civile.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitorin punën e Kuvendit, ka thënë për kallxo se me fillimin e sesionit të ri pranveror, Kuvendi po fillon me avazin e vjetër siç ka përfunduar sesioni vjeshtor.

“E kemi një seancë të stërngarkuar me pika të rendit të ditës, ndonëse një numër i madh i këtyre pikave do të ketë vetëm votim dhe mund të përfundojnë shumë shpejt. Mirëpo shpresojmë që nuk do të ketë probleme me kuorumin, pasi që nëse nuk ka këto pika vetëm do të vazhdojnë të shtyhen për seanca të tjera”, tha ai.

Sipas Muratit, nuk duhet të harrohet që një numër i madh i këtyre pikave janë trashëguar prej muajit shtator dhe  nuk kanë përfunduar ende.

“Është më rëndësi që kjo praktikë mos të vazhdojë edhe në vitin 2019, me pas seanca të stërngarkuara me pika të rendit të ditës, sepse nuk po arrihet asnjëherë të kryhen, ku edhe në bazë të një monitorimi prej vitit të kaluar e kemi pa që më tepër ka pasur vazhdim të tyre sesa seanca të reja plenare. Dhe kjo normalisht që nuk është një pasqyrë e mirë nga jashtë për punën e Kuvendit”, vlerësoi Murati.

Në anën tjetër, si fillim pozitiv të punës së Kuvendit e ka quajtur mbledhjen e Kryesisë, kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Kemi fillu mirë, e patëm një atmosferë shumë pozitive në mbledhjen e Kryesisë, me kryetarët e grupeve parlamentare”, u shpreh ai.

Veseli shtoi se seanca e 31 janarit do të jetë me disa pika shumë të rëndësishme.
“Është Ligji i buxhetit dhe statusi i Trepçës që shumë shpejt do të kalojë Kuvendi,  Ligji për Paga dhe një mori ligjesh të tjera që janë në interes të qytetarëve. Por viti 2019 do te jetë viti i suksesit të Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit.

Mungesa e kuorumit dhe mos përfundimi me kohë i seancave plenare ishin disa nga problematikat me të cilat është ballafaquar Kuvendi i Kosovës gjatë 2018-ës.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart