Kush janë të ‘pazëvendësueshmit’ që ligjërojnë në UP edhe pas pensionimit


10/01/2019

Në vend të pensionit të pleqërisë, vazhdojnë që të marrin pagën prej profesori.

Disa prej profesorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndonëse ka kohë që kanë dalë në pension, vazhdojnë të ligjërojnë e të jenë të angazhuar në fakultetet e UP’së, ani pse jo në orar të plotë.

Musli Bajraktari, Fehmi Krasniqi e Mustafë Muhaxheri, janë vetëm disa prej tyre. Të tre këta “pensionistë” vazhdojnë të jenë të angazhuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, si ligjërues, ani pse jo në orar të plotë.

Por, këta nuk janë të vetmit që kanë dal në pension e vazhdojnë të jenë të angazhuar në FIM.

Angazhim të njejtë me ta kanë edhe Januz Bunjaku, Xhemajl Fejzullahu, Xhevat Perjuci, Mustafë Muhaxheri e Fevzi Radoniqi.Të gjithë këta edhe pse e kanë arritur moshën e pleqërisë, vazhdojnë të dalin para studentëve për t’iu ligjëruar.

E numri i lëndëve që ligjëron secili prej këtyre “të pensionuarve” është nga katër deri në tetë. Disa në nivelin Bachelor, e disa në Master.

Para studentëve ata dalin në drejtime, si komunikacion e Sisteme të Energjisë së Ripërtritshme.

Për angazhimin e profesorëve në pension, Dekani i FIM’it, Ahmet Shala i ka thënë Gazetës Express se angazhimi i tyre është i rregulluar në nivel të Universitetit të Prishtinës. Deklaron se angazhimi i tyre mund të bëhet nëse Fakulteti apo Departamenti e sheh të arsyeshme.

Por, thotë se ata paguhen vetëm për orët e mbajtura, përkatësisht 25 euro për orë.

“Bazuar në Rregulloret në fuqi, profesorët në pension 65-70 vjeç, mund të angazhohen në mësimdhënie nëse Fakulteti/Departamenti e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme. Profesorët kompensohen/paguhen vetëm për orët e mbajtura (25 euro për ore, bruto)”, ka thënë Shala.

Në Fakultetin që drejton, ai thotë se këtë vit janë angazhuar tetë profesorë të pensionuar.

Shala thotë se ata kryesisht janë të angazhuar si ligjërues në nivelin Master dhe se kontribuojnë në mentorimin e studentëve në punimet e diplomës Bachelor dhe Master.

“Këtë vit akademik i kemi të angazhuar 8 profesorë të moshës 65-70, te cilët mbajnë nga 2-4 orë në javë. Kryesisht janë të angazhuar në nivelin Master dhe kontribuojnë në mentorim të studentëve në punimet e diplomës Bachelor dhe Master”, thuhet në përgjigjet e Shalës drejtuar Gazetës Express.

E përveç në FIM, të tillë profesorë vazhdojnë të jenë të angazhuar edhe në Fakultetin Juridik.

Abdulla Aliu, Rexhep Murati, Asllan Bilalli, Hamdi Podvorica, Agur Sokoli, Agim Paca, Osman Ismaili e Faik Brestovci, janë profesorët e tjerë që kanë angazhim të tillë në Juridik.

Por, se sa është numri i profesorëve të pensionuar, e që vazhdojnë të jenë të angazhuar këtë duket se nuk po e dijnë as në Rektoratin e UP’së.

Gazeta ka dërguar pyetje në Rektorat që nga dhjetori i vitit të kaluar, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Express është ende në pritje të përgjigjeve nga ky institucion.

Ndërkohë, në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), patën thënë se në Universitetin e Prishtinës ka mungesë vullneti për freskimin e kuadrove. Sipas tyre prurjet e reja në këtë universitet i shohin si rrezik.

“UP ka mungesë të kuadrove, por më shumë se kaq UP ka mungesë vullneti për freskimin e kuadrove. Pasi kuadrot ekzistuese janë rezistente në prurjet e reja të cilat mund ta rrezikojnë pozitën e tyre”, kishin thënë nga kjo organizatë. /Gazeta Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart