Kundërshtohet ndërtimi i një xhamie në Lumbardh të Deçanit


22/05/2016

Të befasuar nga ky veprim i papritur, një grup i te rinjve të fshatit kishin lajmëruar inspektorët komunalë të Deçanit. Pasi inspektorët kishin dalë në vendin e ngjarjes, ata kishin detyruar punëkryesit që t’i ndërpresin punimet e nisura pa leje. Por, ato nuk ndalen.

Kështu, më 20 maj, disa fshatarë të fshatit rrënuan gjithçka që ishte ndërtuar. Kjo bëri që në vendin e ngjarjes të shfaqet edhe Policia, për çka në mbrëmjen e po të njëjtës ditë mbahet një tubim sqarues për prejardhjen e fondeve për ndërtim.

Në procesverbal të mbledhjes ishin hoxhallarët: Musli Arifaj (anëtar i Kryesisë i Bashkësisë Islame të Kosovës), Rasim Bytyqi (kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Deçanit), Besim Halilaj, ish-kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Deçanit), Bedri Kërolli (imam i fshatrave Irzniq dhe Lumbardh) dhe Musa Ukaj (sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan)

“Sipas hoxhës Rasim Bytyqi, ky ndërtim i xhamisë ishte paraparë për fshatin Maznikë të Deçanit. Por, atje nuk është ndërtuar, gjoja se nuk kishte kushte. Ndaj, erdhën me shpejtësi në Kodrën e Lumbardhit, me një arsyetim banal që të mos i humbin donacionet në vlerë prej 350 mijë eurove për ndërtimin e saj”, ka thënë Vesel Lekaj, banor i Lubardhit, që është mësues në shkollën shqipe, në Zarë të Kroacisë.

Lekaj shprehet se ka dyshime për prejardhjen e fondeve dhe se mund të manipulohet rinia e fshatit për qëllime të këqija.

“Plot persona dyshojnë se fondet mund të jenë të lidhura me ekstremistët fetarë. Hoxha Musa Ukaj këtë e mohon dhe mundohet ta arsyetojë me disa dokumente. Por, dyshimet vazhdojnë të mbesin kur ndërtimi nis pa leje dhe me shpejtësi kaq të madhe”, shton ai.

Fshatarët mësohen se janë të ndarë pro dhe kundër ndërtimit të xhamisë.

Vesel Lekaj, i cili këto ditë ka ardhur për pushime në vendlindje, thotë se “askush nuk është kundër fesë, as xhamisë e as hoxhallarëve që predikojnë islamin tradicional”.

“Por, kjo formë e ndërtimit, pa leje, e vë në dyshim qëllimin e mirë. Fatkeqësisht, shumë presione po bëhen në fshat nga njerëz të ndryshëm. Kjo është për mozomakeq”, thekson ai.

Në letrën e grupit kundërshtarë të formës së tillë të ndërtimit të kësaj xhamie thuhet se “kjo tendencë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, që të mos ndodhë gjakderdhja në mes bashkëfshatarëve të një gjaku, paraardhësit e të cilëve në këtë fshat ishin vëllezër”. /Telegrafi/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart