Kryediplomati gjerman dhe Senatori McCain nuk e bindin opozitën për demarkacionin


13/04/2017

Pas deklaratave të këtyre dy zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe Gjermanisë, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymerit ka thënë se marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është e dëmshme dhe se nuk mund të pranohet. Ndërsa tani edhe dy subjektet tjera opozitare AAK dhe Nisma kanë përsëritur qëndrimin kundër kësaj marrëveshjeje.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë për lajmi.net se edhe kjo parti kërkon që demarkimi i kufirit me Malin e Zi të bëhet sa më shpejt, por ka thënë se Kosova nuk duhet të falë tokë për asnjë çmim.

“Ne kemi deklaruar edhe  më herët se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të bëhet, por jo në varianitin që e ka bërë komisioni i Qeverisë dhe poashtu kundërshtimi që e ka ardhur nga qytetarët, nga ekspertët, nga opozita dhe nga deputetët e koalicionit është treguesi më i mirë se nuk mund të jepet tokë e Kosovës për asnjë çmim”, ka deklaruar Isufi.

Ai më tej ka thënë se qeveria ose duhet ta tërheq përfundimisht marrëveshjen e 26 gushtit të vitit 2015, ose ta sjell në Kuvend dhe deputetët ta rrëzojnë këtë variant, në mënyrë që sipas tij të fillojnë bisedimet  me Malin e Zi për rishikim të këtij procesi. Ai madje ka thënë se fqinji ynë është i gatshëm të diskutoj për këtë çështje.

Sipas Isufit vonesat në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave po bëhen nga Qeveria e Kosovës.

“Vonesat janë tashmë për rreth dy vite, pasi Qeveria ka qenë kryeneçe dhe nuk ka dashur ta dëgjoj  zërin e qytetarëve dhe tentimi për ta imponua do ta prolongoj edhe më shumë këtë proces. Prandaj duhet të vendosen njëherë e mirë kufijtë, e jo të vendosen gabimisht dhe pastaj të kemi problemi probleme”, ka përfunduar Isufi.

Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala ka thënë për lajmi.net se as kjo parti nuk është kundër demarkacionit me Malin e Zi, por ka thënë se Kosova nuk mund të falë tokë.

“Nuk duhet të keqkuptohet qëndrimi i Nismës. Ne nuk jemi kundër demarkacionit të kufirit, por jemi kundër kësaj marrëveshjeje të dëmshme, sepse mendojmë dhe jemi të bindur se me këtë marrëveshje, Kosova humb territor. Edhe ne mendojmë se demarkacioni duhet të kryhet sa më shpejt, por jo me këtë versionin e Qeverisë”, është shprehur Shala për lajmi.net.

Ai ka thënë se procesi i rishikimit të demarkacionit mund të bëhet shpejt, por ka thënë se marrëveshja aktuale duhet të rrëzohet nga Kuvendi.

“Pasi që kemi marrëdhënie të mira me Malin e Zi, besoj që me një rishikim të atyre pikave që ne mendojmë se janë keq, procesi i rishikimit të demarkacionit do të kryhej shpejt. Por së pari duhet të rrëzohet nga Kuvendi marrëveshja aktuale”, ka shtuar Shala.

Përndryshe, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është kushti i vetëm i paplotësuar në procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës, por koalicioni qeverisës, që nga gushti i vitit 2015 nuk ka arritur të siguroj 80 votat e nevojshme për ratifikim /Lajmi.net/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart