Krasniqi: Kadare s’pranoi të ishte lodër e klaneve politike


07/08/2015

Krasniqi ka shkruar se Kadare është nder intelektualet e lartë, jo vetëm në Shqipëri, që nuk pranoi të ishte lodër e asnjë klani politik.

Ja opinioni i plotë i Jakup Krasniqit:

Këto ditë pat një seri reagimesh ndaj mendimit të lirë te Kryeambasadorit shqiptar të letrave shqipe, të intelektualit dhe mendimit të avancuar politik shqiptar, Ismail Kadaresë.

Ismail Kadare, pa dyshim që është njëri nga shqiptarët e rrallë i cili i ka rezervuar veti të drejtën për të dhënë mendime e ide, për të shpalosur vizionin se nga duhet të eci kombi shqiptar. Pozicioni i kombit tonë sot në ketë katrahurë politike, ekonomike e morale, asnjë shqiptari me vizion nuk ia jep komoditetin e heshtjes. Në fund të fundit, ai ka shfaqur mendimin e tij autonom, ka shfaqur botërisht idenë e tij te shqiptarizmës dhe vendin e kombit shqiptar në Evropë. Secili nga ne duhet ta kuptojë se demokracia nuk ë shtë njëmendësi. Populli ynë e ka një shprehje e cila thotë: “ Pas atit të mirë çohet shumë pluhur”.

Të gjithë duhet ta kuptojmë se Ismail Kadare, është mbret i letrave shqipe dhe për të qenë mbret në mbretërinë e tij, ai nuk ka pranuar të jetë pjesë e gëzhojës a e kornizës politike të asnjë ideologjie. Ai është nder intelektualet e lartë, nder më të rrallët jo vetëm në Shqipëri, që nuk pranoi të ishte lodër e asnjë klani politik. Madje, ai nuk u rrëmbye as nga lakmia për të qenë i pari i shtetit. Kështu Ismail Kadare i ka rezervuar veti vendin që të jetë pjesë avancuar e mendimit politik shqiptar. Ai nuk u rrëmbye nga lakmia e pushtetit të parasë duke qenë në pozita publike. Kjo është një arsyeje shtesë, pse Kadare imponon e meriton respekt!

Ismail Kadare meriton dhe imponon respekt edhe atëherë kur mund të kesh arsyeje që të mos pajtohesh me mendimin e tij, të cilin, ai e shpërfaq me guxim e liri të mendimit e të shprehjes. Për mendimin e tij të lirë politik, ai ka investuar shumë dhe nuk i merr leje askujt, çka e kur ta e thotë botërisht bindjen, qëndrimin a pikëpamjet e tija. Respekt!

Zotërinj, mos kërkoni nga Ismail Kadare që ti shikon shqiptarët si numra e përqindje, ai e sheh kombin si një, të tërë e të pa ndarë. Ashtu si e konceptuan edhe rilindësit tanë të lavdishëm! Kadare më të drejtë po e kërkon ngritjen e pozicionit te shqiptarëve në Kontinentin e tyre, në Evropë, për çka kombi ynë kanë investuar shumë. Kombi ynë, jo vetëm para Evropës, duhet që ti shpalos vlerat e kulturës e të traditës sonë nacionale, me çka edhe veçohet nga kombet e tjera. Kombi ynë nuk duhet të lejoj që t’i ikë ky rast për ti shpalosur vlerat e tija tradicionale shqiptare! Vlerat e kombit etnik. Koha është që t’i biem fortë këtij teli!

I thash këto fjalë, jo pse Kadare ka nevojë për mbrojtjen time a te dikujt tje tër, atë e mbron vepra e tij kolosale e shtrirë në të gjitha Kontinentet e banuara me njerëz dhe ku ne shqiptarëve na bënë nder. Kombi ynë e ka një yll që nuk guxon ta kontestoi apo t’ia errësoj shkëlqimin.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart