​Kosova, rrugëtimi drejt pavarësisë dhe pas saj


17/02/2019

Me përfundimin e luftës Kosova u çlirua dhe në vend u vendosën trupat  ndërkombëtare.Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.Në nëntor të 2005’ës nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm plot lot dhe gjak për popullsinë shqiptare.Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri.

Por, Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua asnjëherë në veriun e vendit, i banuar me shumicë serbe, ku ende nuk njihen dhe nuk pranohen simbolet dhe institucionet të shtetit të Kosovës.Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK e zuri misioni europian për sundimin e ligjit, EULEX.Më 22 korrik 2010, pavarësia e Kosovës u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.Republika e Kosovës u bë vendi që garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, bazuar në Kushtetutën e shtetit.  

Nga marsi i vitit 2011, Kosova hyri në dialog me Serbinë, bisedimet që u quajtën “Prishtinë –Beograd”.Këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash, me mbajtjen e katër raundeve të dialogut mes Thaçit e Daçiqit, si dhe një takimi mes presidentëve Jahjaga e Nikoliç.Në Bruksel Kosova dhe Serbia diskutuan për telekomin, energjetikën, heqjen e barrikadës mbi lumin Iber, e çështje të tjera, por asnjëherë nuk arritën të vendosin në tavolinë një prej çështjeve mw tw ndjeshme në Kosovën e pasluftës, atë për të pagjeturit.Megjithatë marrëveshjet e nënshkruara, Serbia asnjëherë nuk i zbatoi ato.

Tani, po flitet për një marrëveshje finale mes të dy vendeve, për një dialog final ku në krye të tij po qëndrojnë krerët e lartë të vendeve, ndërmjetësuar nga shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.Para se të mbush 3 vjet shtet, shteti u trondit nga një raport ndërkombëtar, i cili përmban pretendime se njerëz të UÇK-së kishin kryer krime çnjerëzore

.Autor i raportit ishte senatori Dick Marty, ndërsa në janar të 2011-s dokumenti u aprovua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime kushtetuese dhe aprovoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me mandat për të trajtuar krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera të përmendura apo të ndërlidhura me raportin e senatorit Marty.Kohët e fundit, Serbia intensifikoi veprimet për një fushatë të egër kundër Kosovës, në aspektin e politikës së jashtme.Kosova nuk arriti të anëtarësohet në UNESCO, e as në organizatën më të madhe të policisë, INTERPOL.Serbia vazhdoi fushatën ‘anti Kosovë’ te shumë shtete.

E Republika e Kosovës iu përgjigj me vendosjen e taksës 100% për mallrat me origjinë serbe, dhe të gjitha ato që hyjnë nga shteti i Serbisë.Ky hap përveç reagimit nga bashkësia ndërkombëtare, ka bërë që Serbia të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.Megjithatë, i vendosur vazhdon të jetë shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, që sipas tij, taksa do të hiqet atëherë kur Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.Kosova nuk mbërriti ta ndjek hapin me të cilin ecnin vendet e rajonit drejt Bashkimit Evropian. 

Aktualisht, nuk ka një perspektivë të qartë evropiane meqë banorët e shtetit më të ri kanë mbetur të izoluar në ‘geto’, duke qenë kështu të vetmit që nuk mund të lëvizin pa viza na Zonën Schengen.Kosova është i vetmi shtet në rajon që formalisht nuk e ka nisur rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo akoma nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat.Por, vendi ia doli të shënojë një arritje të madhe, nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian, kjo është marrëdhënia e parë kontraktuale që Kosova lidhi me Bashkimin Evropian.Suksesin më të madh që nga pavarësia, Republika e Kosovës e arriti në art dhe sport.Vendi arriti të bëhej anëtari i 210-të i Organizatës Botërore të Futbollit, vendim ky historik për Kosovën. 

E kjo ndodhi dhjetë 10 ditë pasi u bë pjesë e UEFA-s.Herën e parë që mori pjesë në një olimpiadë, përfaqësuesja e Kosovës doli fituese me medalje të artë.Deri tani, Kosovën e kanë njohur 116 shtete. Vizioni i saj për të ardhmen vazhdon të mbetët anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB.Ndërkohë që sfidë brenda Kosovës, vazhdon të jetë zhvillimi i ekonomisë, arsimi dhe shëndetësia.

Suksesi i fundit, dhe ajo që po konsiderohet krenaria më e madhe për qytetarët e vendit, është fillimi i procesit të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Në prag të 11 vjetorit të pavarësisë së vendit, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së Kosovës.Republika e Kosovës mban dy rekorde pozitive në rajon, atë politikat e rrepta kundër ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit, dhe për të drejtat e shtuara të komuniteteve jo-shumicë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart