Komunikata e Qeverisë: McCain e përgëzoi Mustafën për lidershipin


13/04/2017

Kryeministri Mustafa e priti sot në takim senatorin amerikan John McCain, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe zhvillimet në Kosovë dhe më gjerë.

Përmes komunikatës të dërguar nga Qeveria e Kosovës thuhet se Kryeministri Mustafa i shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve në të gjitha fazat, por edhe Senatori amerikan thuhet se ka përgëzuar Mustafën për lidershipin, siç shkruan, të dëshmuar në proceset e deritanishme.

Gjithashtu thuhet se Senatori amerikan, John McCain, vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve euroatlantike.

Ndërsa, kryeministri Mustafa thuhet se e njoftoi senatorin për proceset në Kosovë dhe adresimin e çështjeve të mbetura në rrugën integruese evropiane, liberalizimin e vizave dhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës në koordinim të ngushtë me SHBA-të dhe NATO-n.

Gjatë takimit, komunikata e Qeverisë thotë se u bisedua edhe për domosdoshmërinë e miratimit në Kuvendin e Kosovës të Marrëveshjes për ratifikimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila do t’i hapte rrugën shumë proceseve euroatlantike të Kosovës.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart