​Kaçaniku, kryeqyteti i muxhahedinëve


16/04/2014

Dy shoqata me islamikë, dy taborre përkrahësish të formacioneve paramilitare islamike në luftën e Sirisë dhe vetëm një qytezë kosovare në kufi me Maqedoninë. Kjo është qyteza e Kaçanikut, nga ku vijnë një pjesë e mirë muxhahedinëve kosovarë të përfshirë në luftën e Sirisë.

Express ka mësuar se nga dy shoqatat që atje ekzistojnë, shoqata “Parimi” dhe shoqata “Rinia Islame-Kaçanik”, që mes vete nuk kanë largësi as 200 metra në vijë ajrore, projektohet një ndasi fortë e madhe në llogoret e luftës në Sirisë, dhe tash edhe në krahinën Al Anbar të Irakut.

Shoqata “Parimi” ndodhet pas Stacionit të Trenit, Kaçanik dhe ekziston e regjistruar në Listën e OJQ’ve kosovare, kurse shoqata “Rinia Islame Kaçanik”, që nuk është në këtë listë, ka një zyrë në rrugën “Idriz Seferi”, afër xhamisë “Sinan Pasha” në katin e dytë, derisa në katin e parë të kësaj ndërtese funksionon një biznes bixhozi.

Kaçanikasit e përfshirë në këtë luftë, e që vijnë nga vija e përkrahësit e shoqatës “Parimi” luftojnë përkrah grupit “Xhabhatu Al Nusra”, kurse ata që vijnë nga vija e shoqatës “Rinia Islame-Kaçanik”, luftojnë përkrah muxhahedinëve të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), i njohur edhe si “Deuleja”, ku një prej komandantëve është edhe Lavdrim Muhaxheri. Çuditërisht, të dyja fraksionet, “Al Nusra” dhe ‘Deuleja” janë grupe paramilitare me parime të organizatës terroriste “Al-Kaida”, por së fundi ato kanë hapur edhe një front të përgjakshëm kundër njëra tjetrës.

Struktura dhe muxhahedinët e shoqatës “Parimi”

Shoqata “Parimi” në Kaçanik është një shoqatë e regjistruar te autoritet kosovare është i regjistruar tek autoritetet shtetërore si shoqatë. Sipas këtij dokumenti, shoqata është themeluar nga Muhamet Spahiu, Mentor Thaçi e Alben Dogani, por Express merr vesh se më vonë aty një nga drejtuesit do të bëhej edhe A. R që aktualisht është në luftime në Siri dhe I. C. Një nga themeluesit e shoqatës, Mentor Thaçi punon në një kurs për aftësimin për kompjuter, i cili është projekt i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo shoqatë, kah vija fetare, për kah ligjërata, kanë për drejtues imamin Tafil Ramuka, një imam nga Hani i Elezit i lindur në vitin 1981. Për çështje fetare, kjo shoqatë, siç merr vesh Express, është në bashkëpunim me Këshillin e Xhamisë së lagjes Bob-Kaçanik.

Lajmi i fundit në Gazeta Express

Nga pasuesit e kësaj shoqate, deri tash dihet se në luftim në Siri janë përfshirë së paku katër muxhehdinë, J.R. i lindur në vitin 1986, B.B. i lindur në vitin 1987, E.B. i lindur në vitin 1984 dhe A.B. i lindur në vitin 19993, që të gjithë të lindur në Kaçanik.

Së paku njëri prej tyre në Siri ka pasur për disa muaj me vete edhe gruan. Një tjetër, mbanë familjen pasi që vëllai e ka të dënuar nga autoritet në Maqedoni për plaçkitjen e pensioneve të pensionistëve të Shkupit.

Dy të tjerë nga ta kanë qenë nismëtarë të një aksioni në vitin 2012 që kishte nisur mbledhjen e fondeve për Sirinë. Ata mblidhnin fonde nga bizneset lokale në Kaçanik, ku disave edhe u kishin thënë që këto fonde janë për blerjen e uniformave ushtarake dimërore për muxhahedinët në Siri.

Zyra e shoqatës ‘Parimi” 

Stuktura dhe muxhahedinët e shoqatës “Rinia Islame-Kaçanik”

Kjo shoqatë e paregjistruar në shtetin kosovar, të paktën jo ekzistente në listën e OJQ’ve, ndodhet në rrugën “Idriz Seferi”, afër xhamisë “Sinan Pasha”, dhe nën zyrat e saj funksionon një biznes bixhozi, që sipas fesë islame që është njëri ndër mëkatet e mëdha.

Megjithëse shoqata nuk është e regjistruar, për veprimtarinë e saj është në dijeni edhe Stacioni Policor në Kaçanik, por nuk është dëshmuar që të ketë ndërhyrë ndonjëherë për ta penguar në veprimtari- ligjërata e mbledhje ndihmash për Siri.

Kjo shoqatë u krijua, sipas burimeve të Express, pas ndarjes nga shoqata “Parimi”.

Për dallim nga shoqata “Parimi”, shoqata e paregjistruar “Rinia Islame-Kaçanik” ka një tjetër organizim. Ajo nuk ka drejtorë, menaxherë, koordinatorë, por ka emirë (ky term përdorët në disa shtet islame për shefin e shtetit).

Emiri i kësaj shoqate, siç merr vesh Express, është vetë “komandant Muhaxheri”- Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku i cili u bë i famshëm me një video në youtube ku kërkonte t’ua priste kokat e gjeneralëve amerikanë.

Express pati raportuar kohë më parë për të, duke publikuar faktin që ai ka punuar për KFOR’in amerikan në kampin “Bondsteel” dhe për NATO’në në Afganistan.

Kjo shoqatë për zëvendës të Muhaxherit ka I.B, i cili po ashtu ka qenë pjesë e luftimeve në Siri në kuadër të “Deules”. Të dy janë të lindur në vitin 1989.

Tash kjo shoqatë administrohet edhe nga O. Rrushi i lindur në vitin 1987, Sh. Koraqi i lindur në vitin 1989 dhe A. Bruti i lindur në vitin 1988, që të gjithë të lindur në Kaçanik.

Drejtues fetar-imami që shkonte shumë shpesh për të mbajtur ligjërata te ta, është imami i Bashkësisë Islame të Kosovës nga Gjilani, Zeqerija Qazimi, një imam i lindur në Gjilan në vitin 1980.

Nga pasuesit e kësaj shoqate kanë rënë edhe dy shehidë- dëshmorë ,sipas gjuhës që përdorin ata. Kohë më parë, siç ka raportuar edhe Express, në luftimet në Siri u patë vrarë Hetem Dema dhe Kjani Mjaku, ky i fundit i lindur në vitin 1979.

Pos Lavdrim Muhaxherit, nga pasusit e kësaj shoqate në Siri kanë qenë edhe së paku tre muxhahedinë të tjerë, I.K i lindur në vitin 1984, A.L. i lindur në vitin 1990 dhe F.D. i lindur po ashtu në vitin 1990.

Kjo shoqatë, sipas burimeve të Express në Kaçanik, ka financa që vijnë kryesisht nga të afërmit e drejtuesve të shoqatës që jetojnë në Perëndim, dhe që sjellin para kesh- jo përmes xhirollogarisë bankare.

Shoqata gëzon një bashkëpunim edhe me Këshillin e Bashkësisë Islame në Kaçanik-dega e BIK’ut, të drejtuar tash nga Florim Neziraj dhe anëtarët e partisë islamike LISBA, që si subjekt politik identifikohet me Fuad Ramiqin. Në Ramazanin e viti 2013 duke ndihmuar në aktivitet e BIK në Kaçanik ishte fotografuar edhe vetë Lavdrim Muhaxheri.

E përbashkët e po thuajse të gjithë anëtarëve të të dyja shoqatave është se drejtues dhe anëtarë të tyre, por edhe muxhahedinët e tyre në Siri, kanë kryesisht shkollim të mesëm, derisa ata që kanë regjistrua studime universitare janë të pakët.

Zyra e shoqatës “Rinia Islame-Kaçanik”

Lavdrim Muhaxheri ka kërkuar të bëjë sulm kamikaz

Express ditë më parë ka sjell rrëfimin e kosovarit nga Ferizaj, Blerim Hetës, i cili vrau 52 irakianë në Falluxha në një sulm vetëvrasës-kamikaz. Familja thoshin që atij iu shpërla truri nga ligjëratat dhe videot e krimeve të Asadit të para në internet.

Siç merr vesh gazeta nga njerëz të afërt me Lavdrim Muhaxherin, i njohur si “Komandant Muhaxheri”, ai është një tjetër kosovar që ka kërkuar të bëjë një akt të tillë. “Lavdrimi e ka paraqitur kërkesën tek drejtuesit e ‘Deules” për të kryer aktin e vetë-vrasjes me ekspolziv. Ata ende janë duke e shqyrtuar deri në bindjen e tyre se Lavdrimi mund ta kryej këtë akt. Është një periudhë e gjatë e shqyrtimit të kërkesave të tilla që në mesin e muxhahedinëve janë të shumta, por miratohen vetëm ato të më të bindurve”, thotë për Express ky burim.

Pas raportimit të Express për rastin e Blerim Hetës, kishte reaguar vetëm Ministria e Punëve të Jashtme, derisa reagimet nga institucionet tjera dhe partitë politike kishin munguar, çoftë për ta dënuar rastin, çoftë për t’i kërkuar falje popullit irakian.

Reagimet po mungojnë edhe për rastet e tjera, siç është tash rasti i të riut nga Tushila e Skenderajt, Valon Musliu që u vra në luftimet e ISIS në Falluxha.

Shkon për financa në Siri, kthehet i zhgënjyer

F.D. i lindur po ashtu në vitin 1990, pasues si shoqatës “Rinia Islame-Kaçanik”, siç merr vesh Express, ka qenë për luftime në Siri. Ai luftoi për një kohë përkrah formacionit paramilitar të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit, afër trupave që komandonte Lavdrim Muhaxheri.

Ai është kthyer në Kaçanik, por nuk pranon të flas me mediat. Siç informohet nga të afërmit e tij gazeta, ai ka shkuar në Siri me qëllim për përfitime financiare, por është rikthyer nga Sirian në Kaçanik i zhgënjyer. “Sepse nuk ia ka dalë me sukses të përfitoj financiarisht në Siri” ka thënë për Express një i afërm i tij.

Ky muxhahedin para se të shkonte në Siri kishte punuar si kamarier në një kafiteri në Kaçanik, në njërën nga kafiteritë më të frekuentuara të qytetit. Ai do të zhytej më vonë në borxhe dhe kredi, ku morri së paku dy të tilla.

Gjendja e financave familjare të tij u përkeqësua kur një nga anëtarët e familjes u sëmur rëndë dhe kishte nevojë për shërim jashtë vendit.

Motivet që i çojnë në Siri e Irak

Kryesisht është motivi fetar që kaçanikasit shkojnë të luftojnë në Siri. Por nuk përjashtohet as motivi financiar. “Sepse me t’u kthyer nga Siria në Kaçanik, këta të gjithë kanë jo shumë para, por vazhdimisht ushqehen nëpër restorante”, thotë një burim i Express.

Sipas këtyre burimeve, motivin për t’u bashkangjitur me luftën në Siri e Irak, të rinjtë nga Kaçaniku kryesitë e marrin nga ligjërata e imamëve ekstremistë e kontroversë shqiptarë si Sadulla Bajrami, Bekir Halimi (Shkup), Ferid Selimi e Shukri Aliu, që të gjithë nga Shkupi.

Të rinjtë e Kaçanikut, nga të dyja shoqatat, pa dallim, por edhe at që nuk i takojnë asnjërës shoqatë e mbajnë qëndrime ekstreme, për imamë të preferuar në ligjërata e tyre kanë Shefqet Krasniqin, Bedri Robajn Rexhep Memishin nga Shkupi, Avdyl Fugën, po ashtu nga Shkupi.

Ata dëgjonin edhe ligjërata e Genc Ballës, që e njohin për Abdurrahim Balla, të cilin Prokuroria e Shqipërisë e ka arrestuar në goditjen fundit anti-terror që ka bërë kohën e fundit e ku në qeli ka çuar dhjetëra persona, kryesisht imamë të vijës radikale islame dhe organizatorë të dërgimit të shqiptarëve për xhihad në Siri.

Një faktor që ka ndikuar në numrin e muxhahedinëve nga Kaçaniku është edhe afërina me Maqedoninë, shtet nga i cili vijnë imamët më radikalë shqiptarë.

Në një prononcim për Express, edhe familjarët e Blerim Hetës, që kohë më parë në një sulm kamikaz vrau 52 irakianë në Falluxha, kanë thënë që djali i tyre i dëgjonte rregullisht ligjërata e Shefqet Krasniqit, aktualisht imam i BIK’ut në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame. 

Lexoni lajmet e fundit nga Kosova që të informoheni më shumë në këtë temë!

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart