Indeksonline zbulon ditarin e Astrit Deharit, i ndjeri ankohej se nuk po mund të qëndronte me nënën e tij (Foto)


11/11/2016

Aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, që u gjet të shtunën i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka mbajtur një ditar gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar i arrestuar si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në objektin e Kuvendit të Kosovës që u vlerësua si terrorist. 

Portali “Indekonline“, të premten, ka publikuar një pjesë nga ky ditar – ndonëse origjinaliteti i tij nuk është konfirmuar ende. Sipas portalit, faqet e këtij ditari, 62 sosh, përmbajnë rrëfime dhe detaje të Deharit në lidhje me komunikimin e tij me familjen dhe aktivistët e LVV-së, gjatë kohës sa ishte duke qendruar i paraburgosur si i dyshuar për terrorizëm. 

Në letrën e publikuar nga “Indeksonline”, aktivisti që u varros të martën në Prishtinë, Astrit Dehari, ku tregon se si aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk e lejonin asnjëherë të qëndrojë vetëm me prindërit e tij, apo me motrën e bashkëshorten, pa qenë edhe dikush prej tyre prezent – gjatë kohës së vizitave në paraburgim. 

Ai shkruan se si sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj, i ka thënë të mos mërzitet për faktet rreth akuzave që e rëndonin për sulmin ndaj Kuvendit, pasi e kishte siguruar se me këtë pjesë do të merrej Lëvizja.

Në letër përmendet edhe një person, me emrin Muharrem – porse nuk tregohet se kush është. 

“Më ra shumë pak të flas me nënën, babin e Artën. Më treguan se e kanë takuar Muharremin e madje ai as që ka ditur se jam në burg. Më thanë të mos mërzitem fare. Edhe Dardani më thoshte të rri i qetë e të mos lodhem për gjetjen e fakteve, ngase me këtë pjesë merret Lëvizja”, shkruan në letrën e publikuar në media e që pretendohet të jetë pjesë e ditarit të Astrit Deharit.

Ndryshe, Gazeta Express, një ditë më parë ka publikuar lejet e vizitorëve që u janë lejuar ta takojnë Deharin në paraburgim. Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Express shihet qartë se në secilën leje të lëshuar nga Departamenti për Krimet e Rënda për vizitë në Qendrën e paraburgimit në Prizren, aty ku kishte qëndruar Astrit Dehari për 68 ditë, vizitat e familjes Dehari u bënë të kontrolluara nga komisarë të Lëvizjes “Vetëvendosje”. 

Po ashtu, Gazeta Express ka publikuar orë më parë edhe materialin filmik të kamerave të sigurisë të burgut të Prizrenit, të ditës së shtunë, kur u gjet i vdekur Astrit Dehari, prej kohës kur të gjithë të burgosurit tjerë dalin në pauzë, përveç Astritit, e deri kur ai u gjet pa shenja jete nga të burgosurit e tjerë. /GazetaExpress/. 

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart