IKD kërkon nga Ministria e Drejtësisë suspendimin e përgjegjësve të Burgut, hetim të pavarur dhe angazhim të ekspertëve të huaj


12/11/2016

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehë shqetësimin e thellë me vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit dhe trajtimin e rastit nga të gjitha hallkat institucionale dhe jashtë tyre. Papërgjegjësia dhe koordinimi jo profesional në mes të  institucioneve në një rast të tillë të ndjeshëm,  ka dhe është duke kontribuar në krijimin e situatave absolutisht të papranueshme që do të siguronin opinion publik për  të zhvilluar një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë.

Vdekja e dyshimtë si në rastin e Astrit Deharit nuk është e para në sistemin korrektues në Kosovë.  Në çdo shtet demokratik duhet të aplikohen standardet minimale të kujdesit të personave që janë të privuar nga liria si rezultat i procedurave gjyqësore. Siguria dhe kujdesi i personave të arrestuar/paraburgosur apo atyre që janë në vuajtje të dënimit në institucione korrektuese apo qendra të paraburgimit është drejtpërdrejtë obligim dhe përgjegjësi e shtetit. 

IKD vlerëson se dëmet e shkaktuara nga papërgjegjësia institucionale që ka sjellë deri të vdekja e dyshimtë e Astrit Dehairt, dhe mënyrën e trajtimit të këtij rasti kanë rënduar situatën, dhimbjen e familjes dhe kanë shokuar publikun për të vërtetën e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit. 

IKD vlerëson se është e papranueshme tendenca e intepretimit të kësaj vdekje të dyshimtë për qëllime të caktuara nga kushdo.

IKD iu bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë hetime të pavarura dhe adekuate që përmes mbledhjes së provave dhe dëshmive të përcaktohet përgjegjësia e zyrtarëve të cilët qoftë për shkak të neglizhencës, dashjes, veprimit apo mos-veprimit kanë lejuar që të vie deri tek vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit. Rasti në fjalë duhet të trajtohet me urgjencë dhe institucionet shtetërore duhet të kenë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme për zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.

IKD bën thirrje për qetësi dhe pritje për rezultatet e një hetimi  lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të Astrit Hajdarit nga organet përgjegjëse vendore.

IKD kërkon të ftohen edhe agjencione të specializuara dhe ekspertë të pavarur të huaj, të cilët do të kontribuonin në zbardhjen e të vërtetës rreth kësaj vdekje të dyshimtë. Vetëm në këtë mënyrë do të zbardhen të gjitha dyshimet, për të cilat ka pasur interpretime nga të gjithë akterët e papërgjegjshëm institucional dhe jashtë institucional, duke kontribuar në mjegullimin e të vërtetës dhe duke bërë presion mbi organet që duhet ta hetojnë rastin.

IKD kërkon përgjegjësi për të gjithë përgjegjësit rreth vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit dhe gjithashtu kërkon përgjegjësi të plotë për papërgjegjësinë institucionale rreth qasjes dhe trajtimit të këtij rasti pas vdekjes së dyshimtë, përfshi deklarimet e papërgjegjshme në publik të përgjegjësve institucional në zi ngjirin e institucioneve të drejtësisë.

IKD kërkon të mbahen përgjegjës penalisht zyrtarët e papërgjegjshëm që kanë nxjerrë çdo informacion konfidencial, përmes publikimit të të cilave në çfarëdo forme kanë rrezikuar procesin e hetimeve në këtë rast të ndjeshëm të vdekjes së dyshimtë.

Padyshim se në këtë drejtim, IKD shprehë shqetësim lidhur me akuzat në drejtim të mediave që kanë publikuar informacionet apo incizimet rreth këtij rasti. Roli i medias është informimi i publikut rreth të vërtetës dhe çdo informacion që sigurohet nga mediat është e mirë e publikut me të cilin duhet të ndahet. Në këtë drejtim, IKD fton mediat të respektojnë standardet profesionale dhe etike me rastin e raportimit si dhe përgëzon kontributin e tyre me publikimin e të gjitha informacioneve në shërbim të zbardhjes së të vërtetës rreth këtij rasti, duke informuar mbi bazën e fakteve dhe dëshmive të sakta dhe të balancuara.

IKD kërkon hapa urgjent nga Ministria e Drejtësisë, në drejtim të suspendimit të përgjegjësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës në të gjithë hallkat e tij që kanë përgjegjësi për sigurinë, përfshi nivelin lokal dhe qendror.

IKD prej momentit të informacionit të vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit ka kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast, hetim të pavarur, profesional, të drejtë dhe urgjentë për të adresuar saktë përgjegjësinë dhe për të eliminuar mundësinë e keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve rreth këtij rasti.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart