I riu amerikan akuzohet për vrasjen e prindërve të 13-vjeçares dhe rrëmbimin e saj


12/01/2019

Vajza e quajtur Jayme Closs ishte gjetur e gjallë nga fqinjët e të dyshuarit. Ajo kishte arritur të ikte nga një shtëpi e pabanuar, në të cilën ishte mbajtur pa vullnetin e saj pas vrasjes së prindërve. Policia ka njoftuar se ajo tash është bashkuar me tezen e saj, ndërsa gjendja e saj shëndetësore po përmirësohet.

Shefi i policisë për rajonin e Barronit, Chris Fitzgerald, ka thënë se vajza nuk ishte e lidhur me të dyshuarin përmes rrjeteve sociale dhe ai nuk kishte kontakt me askë tjetër në familjen e saj. Ai ka thënë se të dhënat që ka policia janë të kufizuara dhe se vajza ende po intervistohet.

Viktima u gjet në qytezën Gordon, rreth 110 kilometra larg shtëpisë së saj. Policia kishte arritur ta arrestojë të dyshuarin vetëm 11 minuta pas gjetjes së vajzës, pasi ajo e kishte përshkruar makinën me të cilën i dyshuari ka ikur. Zyrtari policor tha se ata ende nuk e dinë se si ka arritur të ikë vajza dhe si e ka mbajtur i dyshuari atë në shtëpinë e braktisur.

I dyshuari nuk ndodhej në atë shtëpi kur vajza ka ikur, ndërsa besohet se ka qenë duke e kërkuar me veturë në momentin kur policia e ka arrestuar. Vajza ishte gjetur nga një mësuese që kishte dalë për të shëtitur me qenin e saj.

Vajza i kishte kërkuar ndihmë, duke i thënë se nuk e dinte ku ndodhej. Sipas përshkrimit të mësueses, ajo ishte e papastruar dhe kishte mbathur këpucë shumë më të mëdha se këmbët e saj, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart