Haradinaj tregon për presionin e madh që po i bëhet për taksën, i kërkon BE-së të reagojë për marshin në Banjallukë


10/01/2019

Sipas kryeministrit, këto janë veprime të cilat kanë për qëllim destabilizimin e të gjithë Ballkanit.

Ai ndërkohë ka kritikuar mosreagimin e BE-së lidhur me këto veprime destabilizuese të Serbisë dhe ka kujtuar gjithë presionin e madh që po bëhet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian drejt Republikës së Kosovës për të hequr vendimin për taksën.

Haradinaj këtë qasje të BE-së e ka cilësuar si të pabalancuar.

“Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës vazhdojnë, tash në satelitin e tyre të quajtur Republika Srpska. Fatkeqësisht Serbia refuzon aktivisht integrimin dhe përqafimin e vlerave europiane. Në Banjallukë një njësit me tipare të pastra paramilitare në marshin më provokues që synon destabilizimin e tërë Ballkanit këndon këngën e “Heronjve të Kosovës”, e cila në tekstin e saj thërret për hakmarrje dhe pushtim të Kosovës. Njësiti dhe kënga gjenocidale përcillet me thirrjet kundër Bashkimit Evropian”, ka shkruar i pari i Qeverisë.

Haradinaj ka thënë se skena të tilla ia sjellin ndërmend aparaturën e Sllobodan Millosheviqit.

“Kjo skenë që përkujton sentimentin gjakpirës të aparaturës së Millosheviqit, bëhet në nder dhe para kryeministres kukull të Vuçiqit, Ana Bërnabiq dhe ministrit të Mbrojtjes kukull të Rusisë, Aleksandar Vulin”, ka shtuar ndër të tjera Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka kritikuar ashpër mosreagimin e Bashkimit Evropian lidhur me këto veprime të serbëve, duke thënë se ata po reagojnë e po bëjnë presion vetëm kur vjen puna për masat legjitime që vendos Republika e Kosovës.

“Përderisa Bashkimi Evropian shfrytëzon të gjitha kanalet për të bërë presion ndaj Kosovës për një masë legjitime dhe ligjore siç është taksa, e cila përdoret edhe nga shtetet e zhvilluara siç janë SHBA-ja, Franca, Kanadaja etj., vendos të mbyllë sytë ndaj kësaj skene e cila bën thirrje për luftë e gjenocid”, ka potencuar kryeministri.

Megjithatë, ai thotë se edhe përkundër kësaj qasjeje të Bashkimit Evropian, Kosova do të vazhdojë punën për integrim në Bashkimin Evropian.

“Edhe përkundër këtij disbalanci të politikës së Bashkimit Evropian, Kosova është e përkushtuar që të jetësojë idealet evropiane në ekonomi, sundim të ligjit, mbrojtje e zhvillim. Synimi ynë strategjik është integrimi dhe anëtarësimi euro-atlantik dhe përqafimi i vlerave të demokracisë, përderisa Serbia ka Rusinë si alternativë kërcënuese në zemër të Evropës”, ka përfunduar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. /GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart