Gruevski ende s’e ka thirrur Ahmetin për të parë nëse mund të bëjnë bashkë qeverinë


11/01/2017

“Nuk ka filluar asnjë formë e komunikimit me partitë politike maqedonase. Ne ende po bëjmë analizat për të gjitha opsionet të cilat vetëm i kemi përmendur  dhe shohim argumentet pro dhe kundër për njërin dhe për tjetrin opsion. Ato janë prej formimit të Qeverisë së zgjeruar, koalicion me njërin ose tjetrin bllok, mundësia për të qenë në opozitë dhe natyrisht nëse dështojnë të gjitha këto, edhe mundësia për zgjedhje të parakohshme. Forma e negocimit do të përcaktohet sapo të përcaktohet variant më i mirë për shqiptarët”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Osmani thotë se akoma nuk është vendosur nëse bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së do të zhvillohen mes krerëve të dy partive ose do të formohen grupe negociuese.  LSDM-ja, nga ana tjetër, edhe njëherë ka apeluar te partitë shqiptare të mos koalicionojnë me persona të akuzuar për vepra kriminale.

“Të gjitha partitë që kanë fituar deputetë në Kuvend, përveç udhëheqësisë kriminale të VMRO-DPMNE-së, nuk guxojnë të lejojnë formimin e Qeverisë në të cilën do të merrnin pjesë persona të akuzuar për vepra të rënda kriminale, të cilët kanë shkatërruar jetën dhe perspektivën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, thanë nga LSDM-ja.

Nga VMRO-DPMNE konfirmuan se edhe në partitë më të vogla të koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” ka pakënaqësi të mëdha rreth platformës së përbashkët të partive shqiptare dhe nuk do të heqin dorë nga platforma e tyre zgjedhore./Alsat-M/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart