Gjykata Themelore nesër do të mbajë seancën për ‘Veteranët e rrejshëm’


27/01/2019

Në seancën e nesërme do të diskutohet në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.

Aktakuza ishte kthyer mbrapa me 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar./kallxo.com

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart