Gjashtë Vjet pa Shtetin e Shpallur Shtet


22/07/2014

Më 17 shkurt 2008 përfaqësues të 40.10% të popullit (sipas statistikës së zgjedhjeve parlamentare të 17 Nëntorit 2007) të Kosovës, duke vepruar jashtë Kornizës Kushtetuese dhe Institucioneve të Përkohshme Vetë-Qeverisëse, duke mos e përfaqësuar (me protokoll) Kuvendin e Kosovës apo ndonjë tjetër prej këtyre institucioneve të cilat janë aty në pajtim të plotë me rezolutën 1244, lëshuan një deklaratë të pavarësisë për themelimin e Republikës së Kosovës. Deklaratë kjo, e cila nuk u ratifikua asnjëhere në parlament, pikërisht për shkak që do të ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare nëse ratifikimi i saj do të ndodhte, për dikçka që duket se politika shqiptare e Prishtinës nuk ka pasur guxim të hapëroj drejt ratifikimit. Për pasojë, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 1244, duke qenë se deklarata e shpalljes nuk ishte protokolluar nga mekanizmat zyrtar të IPVQ-së, precizojnë paragrafet 102 dhe 109 të aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Paragrafi 121 precizon “Gjykata është shprehur tashmë, (megjithatë, shih paragrafët 102 dhe 109 – http://webcache.googleusercontent.com/search?q=cache:http://www.icj-cij.org/docket/files/141/15987.pdf), që shpallja e pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk është lëshuar nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, as nuk ishte një akt që synon të hyjë në fuqi, ose që synon të marrë efekt brenda kuadrit ligjor, në të cilin ata; Institucionet e Përkohshme të Kosovës janë duke operuar. Autorët e shpalljes së pavarësisë nuk janë të lidhur me kuadrin e kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara për të udhëhequr ushtrimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes. Autorët e shpalljes, nuk e kanë shpallur deklaratën brenda procedurave protokollare të kuadrit ligjor. Prandaj, Gjykata konstaton se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkelur Kornizën Kushtetuese dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. (Paragrafi 102 dhe 109 | Faqe 102 i Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, flet për identitetin politik të autorëve të shpalljes së pavarësisë).

Në një komunikim elektronik me ish-kryeparlamentarin zt. Jakup Krasniqi, në pyetjen time nëse është ratifikuar ose protokolluar deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit, 2008 në Prishtinë, ai thotë: “deklarata është nënshkruar nga të gjithë deputetët dhe iu është dërguar të gjitha shteteve dhe ambasadave në Kosovë”. Duke më rekomanduar se zyra administrative e Kuvendit të Kosovës është përgjegjëse për të më informuar lidhur me kuriozitetin tim, nëse deklarata është protokolluar dhe ratifikuar në parlament ose jo. Natyrisht, për dikend pa njohuri do të ishte e çuditshme një përgjigje e tillë, por për mua, është e kjartë, që deklarata nuk është ratifikuar, pasiqë këtë e kjartëson edhe vendimi i para katër viteve nga GJND-ja, pastaj zt. Krasniqi nuk është përgjigjur në pyetjen time.

Gjithsesi, është e dukshme se e tëra kjo ka qenë një mashtrim që politikanët shqiptar që operojnë nën kuadrin ligjor të autonomisë së zgjeruar të dhënë nga Kuvendi i Serbisë në vitin 1999 i kanë mashtruar qytetarët të vendit, e këtë mashtrim e konfirmon edhe vendimi i gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Rezoluta 1244 u miratua me 14 vota për, asnjë kundër. Kina kishte abstenuar pavarësisht se ishte shumë kritike ndaj ofensivës së NATO-s, veçanërisht pas bombardimit të ambasadës së saj në Beograd. Kina kishte argumentuar se konflikti duhej të zgjidhej nga Qeveria e R.F. të -Jugosllavisë dhe popullit të saj dhe ishte kundër ndërhyrjes së huaj. Megjithatë, duke pasur parasyshë se Republika Federative e Jugosllavisë kishte pranuar propozimin në parim (duke mos e nënshkruar atë), Kina kishte vendosur për të mos vënë veton kundër rezolutës.

Dy vite pasi institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Prishtinë verbalisht dhe në mënyrë spektakulare kishin shpallur pavarësinë (17 Shkurt 2008 – duke përjashtuar integritetin territorial) disa vende kanë thënë se Rezoluta 1244 (http://www.un.org/News/Press/docs/1999/19990610.SC6686.html) është ende e detyrueshme. Në vitin 2013, një artikull në revistën “The Economist” i quajti ato thirrje si “të tepërta”, dhe deklaroi se referencat janë përdorur për të ruajtur pamjen e jashtme për Serbinë, por realiteti në terrenin territorial dhe atë politik është ndryshe, diçka që mund të dokumentohet permes vendimit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe rezolutës 1244 në fuqi, e cila (rezolutë) edhe 15 vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur mes dy palëve të përfshira në të, ka dështuar të ushtrojë mandatin e saj të plotë në gjithë vijën administrative të Kosovës.

Më 1 nëntor të vitit 2000, Republika Federative e Jugosllavisë ishte pranuar si anëtare e Kombeve të Bashkuara permes një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme A/RES/55/12. Më 4 shkurt 2003, pas miratimit dhe shpalljes së Kartës Kushtetuese nga ana e Kuvendit të Republikës Federative të Jugosllavisë, u ndryshua në Unioni Serbi dhe Mali Zi. Ndërsa, në një letër të datës 3 qershor 2006, Presidenti i Republikës së Serbisë kishte informuar Sekretarin e Përgjithshëm se anëtarësimi i Unionit Serbi-Mali i Zi në OKB do të vazhdohej nga Republika e Serbisë, pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi nga Unioni me Serbinë.

Në bazë të shpalosjes së këtyre fakteve, duket qartë se politikanët shqiptarë të Kosovës, më 17 Shkurt 2008 vizualisht kanë aktruar një spektakël televiziv, ndërsa përmbajtësisht kanë krijuar aktivitet për shpenzime financiare, duke zhvilluar një aktivitet jashtë protokollit institucional, i cili është e drejtë ekskluzive e Këshillit të Sigurimit, e që ky i fundit ka mandatuar OKB-në për zbatimin e rezolutës 1244, në bazë të të cilit dokument edhe janë duke u zhvilluar negociatat Prishtinë-Beograd në Bruksel të kryesuara nga BE-ja, me qëllim që siç është quajtur ‘Normalizimit të Marëdhënieve’ të të dy palëve në negociata, palës administrative në Prishtinë dhe asaj shtetërore në Beograd. Rezoluta 1244 parasheh kthimin e operativëve politiko-juridik dhe të sigurisë të shtetit serb, ku jeton pakica serbe në njësinë administrative të Kosovës, si dhe kthimin e policisë serbe në pikat kyçe kufitare, diçka që tashmë është duke u zbatuar permes projektit të emëruar si ‘Menaxhimi i Integruar i Kufijve’.

Ndërkohë që operimi politik i serbisë brenda kufijve administrativ të Kosovës me marrëveshjen për daljen në zgjedhje të pakicës serbe, e të cilët u deklaruan se nuk do t’a njohin deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008 është obligim ligjor që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nga: Vedat Xhymshiti

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart