Gazeta italiane shkruan për shqiptarin: Vrapoi t’i shpëtojë fqinjët e bllokuar nën rrënoja


27/12/2018

Qyteza Zafferana Etnea me fraksionin e saj Fleri, është një nga më të dëmtuarat.
Ndër rreth 9 mijë banorë që jetojnë në këtë komunë, 186 janë emigrantë shqiptarë.
E mes tyre është dhe shqiptari nga Fieri Gazmend Hysenaj, me profesionin murator.
E përditshmja italiane La Repubblica përmes korrespondentit të saj në Catania, ka përcjellë historinë e emigrantit shqiptar e të disa banorëve të tjerë të Flerit, të shndërruar në heronjtë e ditës.” 

“Janë heronjtë e rastësishëm të Flerit, – shkruan La Repubblica, – qytezës më të goditur nga tërmeti. Në zemër të natës, të mbijetuar nga lëkundja e fortë sizmike, vrapuan të shpëtojnë fqinj, miq e familjarë.” 

Një prej tyre është shqiptari nga Fieri, Gazmend Hysenaj, i cili ka mbërritur në Itali vetëm një vit më parë, në kërkim të një të ardhme më të mirë për fëmijët e familjen e tij.
Gazmendi rrëfen se është zgjuar në mes të natës nga të qarat e fëmijëve të tij e ulërimat e komshiut. “Janë momente që s’ mbarojnë kurrë, thotë ai, mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar, thotë Gazmendi. U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur, Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi, Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shatërroj portën, munda të shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesës.”

“Mes gërmadhave të tërmetit në Catania, takova burra e gra të kthyer në heronj të ditës në një natë frike, shkruan gazetari, Një shqiptar, një bukëpjekës e shumë të tjerë kurajozë, Është Italia që reziston”

Një ditë pas tërmetit rreth 600 banorë kanë mbetur pa shtëpi e së bashku me banorët e tjerë kanë kaluar natën në makina larg zonave të banuara, nga frika se tmerri i një nate më parë mund të përsëritej.

Gjatë natës së shkuar toka është dridhur përsëri, janë regjistruar mbi 10 lëkundje tërmeti por në shkallë të ulët e vullkani Etna vazhdon të jetë aktiv e nën mbikëqyrje special nga ekspertët e institutit të gjeofizikës e vullkanologjisë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart