Familja nga Malisheva të cilës iu vranë dy djemtë, ka një mesazh për presidentin Thaçi


19/11/2018

Në shtëpinë e familjes Maloku në Plloqicë të Malishevës, në marsin e vitit të kaluar kishin qëndruar presidenti Thaçi dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Të dy këta për t’u shprehur ngushëllime familjes Maloku pas vrasjes së dy djemve të tyre në mesnatën e 9 marsit të këtij viti.

Thaçi e Tahiri në familjen Maloku

Presidenti e ministri i Drejtësisë ishin zotuar para familjarëve të viktimave se do të punojnë deri në fund për zbardhjen e këtij rasti. 

Por edhe pas tetë muajve, familja Maloku, thotë se nuk di asgjë për motivet e vrasjes së djemve të saj.

Kjo familje, përmes një letre publike po kërkon nga ana e institucioneve kosovare që të punojnë për zbardhjen e shpejtë të rastit.

“Në mëngjesin e ditës që u vranë presidenti i vendit dha deklaratë publike dhe u bëri thirrje organeve të rëndit për zbardhjen e rastit, po ashtu edhe institucionet e tjera duke filluar nga Ministria e Drejtësisë, FSK-së, Kuvendi Komunal u zotuan se do të punonin në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit”, thuhet në letrën e familjes.

Sipas, familjes Maloku përkundër zotimit të madh të krerëve të shtetit se rasti do të zbardhej sa më shpejt familja ende janë në pritje dhe ankth prej marsit.

“Ende nuk ka ndonjë sinjal se fajtorët do të dënohen për dhimbjen që ua shkaktuan”.

Familja Maloku tash po deklaron se kohëve të fundit është shqetësuar nga persona të ndryshëm, familjarë dhe persona të afërm të personave që po mbahen në paraburgim.
“Po ashtu gjatë kësaj kohe familja është shqetësuar nga njerëz të ndryshëm, familjarë dhe të afërm të personave që mbahen në paraburgim si të dyshuar për vrasjen, të cilët mundoheshin të ndryshonin motivin e vrasjes, vinin në familje dhe u munduan të bindnin të tërhiqnin padinë për të cilën vetë familja nuk është përgjegjëse”, shpreh shqetësimet e saj familja Maloku.

Viktimat

Familja Maloku u bën thirrje të gjitha organeve kompetente për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.

Ndërkohë, me rastin tashmë po merret Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Ndryshe, viktimat Shani Maloku (44 vjeç) dhe Bahri Maloku (33 vjeç) kanë ndërruar jetë pasi janë dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Malishevë njëri prej tyre, gjegjësisht në QKUK tjetri.

44-vjeçari kishte qenë pjesëtar i FSK-së, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Ndërsa, edhe i vëllai tjetër përveç gruas ka lënë pas edhe dy fëmijë. /GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart