Ekspertja e Drejtësisë: Tash vonë për zhbërjen e Gjykatës Speciale


09/01/2018

Në këtë fazë gjykata ka filluar funksionimin në Hagë dhe janë caktuar gjyqtarët, por ende nuk janë ngritur aktakuza.

Në një intervistë nga Londra, studiuesja e së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Rudina Jasini, i tha Zërit të Amerikës se arsyeja që ka pasur një reagim kaq të fortë nga vendet e Kuintit është se për ngritjen e shtetit të së drejtës në Kosovë, vendet perëndimore kanë bërë një investim mjaft të madh gjatë një periudhe disavjeçare.

Zonja Jasini tha se fakti që Gjykata Speciale është ngritur në Hagë është pikërisht për të mbajtur standarde të larta procedurale ndërkombëtare të procesit gjyqësor, sidomos për sigurimin e dëshmitarëve, për garantimin e të drejtave të të akuzuarve dhe mbi të gjitha të një barazie midis palëve në procesin gjyqësor.

Juristja tha se sigurisht, një shumicë teknike mund të krijohet në parlament për të themeluar një ligj të ri ose për të ndryshuar përmbajtjen e ligjit aktual. Por kjo nuk mund të zhbëjë procesin e ngritjes së kësaj gjykate.

Kjo, tha zonja Jasini, do ta sillte Kosovën në një ngërç të padiskutueshëm juridik dhe do të dëmtonte mjaft rëndë marrëdhëniet me vendet e Kuintit por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo do të sinjalizonte, gjithashtu, se Kosova nuk e ka marrë seriozisht procesin e trajtimit të krimeve të luftës dhe të atyre të pasluftës.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart