​Ekskluzive: BIK’u, rruga drejt terrorizmit


31/07/2014

Të gjitha rrugët çojnë te Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), kur i ndjek hapat që e çuan drejt terrorizmit komandantin më të ri të shqiptarëve në Shtetin Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), Ridvan Haqifi.

Ai ka qenë një nga nxënësit e Medresesë “Alaud-din”-dega në Gjilan, shkollë publike kjo që financohet edhe nga Ministra kosovare e Arsimit e menaxhohet nga BIK’u, por edhe ka qenë imam nënë urdhrat e kësaj bashkësie fetare deri në vitin 2012, kur deklaroi rrejshëm që po shkonte për te studiuar në Egjipt.

Ridvan Haqifi, një njëzet e katër vjeçar nga Gjilani është lindur në fshatin Bukovik më 4 korrik të vitit 1990, për rastësi, ‘Dita e Amerikës’, një nga armiqtë e ISIS’it, organizatës terroriste që drejtohet nga Kalifi i vetë-shpallur, Ebu Beker El-Bagdadi (Kalif Ibrahimi). Ridvani në komandë pason Lavdrim Muhaxherin nga qyteza e Kaçanikut në drejtimin e xhihadistëve shqiptarë në këtë organizatë që konsiderohet si organizata më e pasur terroriste e botës.

Vrazhdësia e Lavdrim Muahxherit, siç ka raportuar Express- duke prerë në fyt një fëmijë të lidhur shiitë, duket që e ka lënë nën hije ‘ndërrimin e komandave” në mesin e shqiptarëve në ISIS, por një hulumtim i Express nxjerr që komandanti i ri, Ridvan Haqifi nuk është fort i largët në lidhje ideologjike me terroristin Muhaxheri.

Të dy ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi, derisa Ridvani më vonë morri të drejtën edhe të ligjëronte në xhaminë që e drejton imam Qazimi- një përkrahës publik i xhihadit të ISIS’it.

Ridvan Haqifi deri në vitin 2012, kur i tha familjes e BIK’ut se po e lëshonte punën për studime fetare në Egjipt, ishte imam në xhaminë e fshatit Capar, një fshat afër fshatit tij të lindjes-Bukovikut, pasi që këto dy fshatra përdorin të njëjtin objekt për falje. Në këshillin e Bashkërisë Islame në Gjilan thonë që banorët e dy fshatrave e lypën Ridvanin për imam.

Me gjithë lidhjet familjare me drejtuesit e BIK në këtë qytet, ata nuk pranojnë të marrin asnjë përgjegjësi për asnjë veprim të tij. “Për çka do që bënë përgjegjësia është individuale”, thotë për Express Sylejman Osmani, kryetar i BIK në Gjilan.

Këshilli i BIK në Gjilan ka edhe një pozitë që pakë këshilla të tjerë në qytete kosovare e kanë, pozitën e krye-ligjëruesit (mualimit) dhe atë e mban imami Naim Aliu. Ai është djalë daje i Ridvan Haqifit.

“Nuk kam faj që baba jem 50 vjet ma përpara e ka martuar hallën e Ridvanit”, thotë për Express imam Aliu. Ai mohon madje edhe që ta ketë ndihmuar Ridvanin, tash një terrorist shqiptarë më shumë në radhët e ISIS, që të shkollohej në shkollë fetare e as që të punësohej si imam.

Naim Aliu thotë që i vije keq për atë që i ka ndodhur familjes së dajave të tij, duke shkuar Ridvani në një luftë që shefi i tij, Sylejman Osmani e quan të pakuptimtë, por në të njëjtën kohë befasohet me vendimin e dajës Ridvanin, pasiqë thotë se nuk ka treguar shenja që do të bashkëngjitej me luftën.

“Ishte djalë i qetë…Nuk ishte as i dalluar…Ishte një nxënës, e më vonë një imam i zakonshëm.. I pa vërejtshim”, kështu e përshkruan karakterin e Ridvanit kreu i myslimanëve gjilanas, imam Osmani. Ai e pranon që e ka njohur personalisht Ridvan Haqifin.

“Pra se të i bimë në qafë BIK’ut a kujtdo qoftë, dhe të krijojmë ‘islamo-fobi’, mendoj që duhet të na vije keq ajo që i ndodhi kësaj familje”, thotë Sylejman Osmani për Express.

Ai pos që e quan të pakuptimtë luftën e ISIS në Siri e Irak, argumenton me vetë ish-imamin e BIK’ut, Ridvan Haqifi, që sa poshtë ka rënë kjo kauzë. “Fakti që ata e bëjnë komandant një njëri kaq të pa vërejtshim e të parëndësishëm tregon se sa poshtë ka rënë kjo luftë”, thotë për Express Osmani.

Të dy imamët, njëherit edhe drejtues në BIK’ut në Gjilan, që e kanë njohur, bashkëpunuar, por edhe njëri së paku ka lidhje familjare me Ridvan Haqifin, deri në ‘nerva-shkuarje’ përsërisin që BIK’u nuk mban përgjegjësi për një ish-imam të tyre.

Komandant Ridvani, nxënësi i varfër i imamit kontrovers

Të dy drejtuesit e BIK’ut në Gjilan, Sylejman Osmani e Naim Aliu e pranojnë që është i vërtetë rrëfimi që ka mësuar Express që Ridvan Haqifi rrjedh prej një familje të varfër. Të paktën imam Aliu njihet me ta personalisht.

Express merr vesh që gjatë kohës sa ishte imam, Ridvan Haqifi kishte punuar herë pas here edhe punë të tjera për të mbajtur familjen, përfshirë këtu edhe punën e hamallit me karrocë dore në tregun e qytetit, pasi që pagesa prej imami të angazhuar vetëm për faljen e xhumasë ishte e vogël.

Por biseda e Express me një profesor aktual në Medresenë në Gjilan tregon se ku lidhet Ridvani e Lavdrim Muhaxheri, dhe ndoshta, edhe prej nga rrjedhin idetë e tij ekstreme. “Ai ka qenë ‘talebe’ (nxënës i marrë në përgjegjësi personale) i Zekirja Qzimit”, thotë për Express ky profesor që preferon të mbetet anonim.

“Zeqa i ka porositur profesorët e Medresesë që të mos ia përsërisin në lëndët që nuk mëson shumë Ridvanin”, sqaron raportet e Ridvanit me imam Qazimin ky profesor.

Për dallim prej drejtuesve të BIK’ut, imam Aliut e Osmanit, ky profesor thotë se Ridvani ka kallëzuar shenja radikalizmi që kur ishte nxënës i medresesë, pasi që në klasë diskutonte me idetë ekstreme të Zekirja Qazimit. “Të dukej sikur po diskuton me Zeqën”, e përshkruan ai Ridvanin, tash “Komandant Ridvani”.

Në videot e ligjëratave të Zekirja Qazimit shihet përkrahja e tij për luftëtarët e ISIS. Ai në janar të këtij viti në nj deklarim para kamerës në shtëpinë e tij i sulmoi hoxhallarët që folën keq për ISIS’in duke i quajtur “injorant e majmunë”, derisa tha ata që po bëjnë xhihad në Siri janë duke e zbatuar fenë islame dhe po i mbrojnë myslimanët nga ‘shejtani’ Bashar Al- Asadi. Ai i quan vëllezër ata që po luftojnë për të vendosur sheriatin në Siri.

Siç mund të shihet edhe në videot në youtube.com, Ridvani ligjëronte në xhaminë e Zekirja Qazimit, një xhami në periferi te Gjilanit, e cila është në disa pjesë ende në ndërtim, gjë për të cilën drejtuesit e BIK në Gjilan thonë se nuk kanë njohuri. Ata thonë se nuk kanë njohuri edhe pse nuk e mohojnë që kanë internet në zyrë.

Express ka provuar që të marr një koment nga Zekirja Qazimi, por ai nuk ishte i kontaktueshëm as në telefon e as në xhaminë e tij, një xhami në periferi te Gjilanit e cila është në disa pjesë ende në ndërtim. Aty ishin vetëm disa pasues e të tij të cilën shfaqët motiv për konflikt, derisa mbronin që me imamin e tyre, imam Qazimin nuk mund të kontaktoj gjithkush.

Angazhimi i çuditshëm i imam Qazimit

Por ky imam i pa kontaktueshëm për BIK’un në Gjilan është thjeshtë një person i cili del në xhami e nuk është imam zyrtar, por punon me një autorizim të lëshuar kohë më parë. Kryetari i BIK’ut në Gjilan, Sylejman Osmani thotë për Express se Zeqirja Qazimi nuk ka kontratë me BIK’un, e për më shumë, as që i japin ndonjë pagesë për shërbimet që kryen në xhaminë nën juridiksionin e BIK’ut të cilin e kanë ndërtuar banorët që marrin shërbime aty.

Ai thotë se banorët që e ndërtuan atë objekt fetar e kërkuan Zeqirja Qazimin imam, derisa BIK nuk bartë përgjegjësi financiare për të. Megjithëse nuk e paguajnë, në BIK as që e kanë idenë se ku merr para Zeqirja Qazimi dhe si mbijeton ai.

“Ka shumë njerëz që s’marrin rrogë, por mbijetojnë”, arsyeton imam Osmani për Express.

Si për çudi, edhe ai thotë se ka pranuar ankesa se imam Zeqirja Qazimi nxit ekstremizëm, por thotë që askush nuk i ka sjell prova për këtë. Thotë edhe që nga ligjërata e tij që i ka dëgjuar, ato janë në rregull.

Pavarësisht kësaj, Sylejman Osmani thotë për Express se fakti që ka ankesa ndaj Zeqirja Qazimit nuk e kanë lënë atë që ti bëjë një kontratë të rregullt imami.

Lidhja e Lavdrim Muhaxherit e Ridvan Haqifit

Ridvan Haqifi , siç ka raportuar Express, e ka zëvnëdësuar në komandë mbi shqiptarët në ISIS që janë mbi 150 sosh, Lavdrim Muhaxherin, një terrorist që ditët e fundit është bërë temë nga temat kryesore në vend për shak të një krimi morbid që ka kryer.

Sikurse Haqifi, edhe Muahxeheri kishin marrë ligjërata nga i njëjti imam, imam i BIK’ut, Zekirja Qazimi.

Express e publikoi këtë fakt në një hulumtim mbi xhihadistët kosovarë në luftën e Sirisë e Irakut, i përqendruar kryesisht në Kaçanik. Zekirja Qazimi kishte qenë njëri nga ligjëruesit e rregullt të shoqatës së pa regjistruar në shtet të cilën e krijoi Lavdrim Muhaxheri, shoqata ‘Rinia Islame-Kaçanik’.

Dy anëtarë të saj, Ilir Berisha e Jetmir Kyçyku, siç ka raportuar Express janë arrestuar para një muaji në një aksion policor anti-terror me informacionet e Agjencionit Kosovar të Inteligjencës (AKI). Gazeta raportoi se Prokuroria e Shtetit po lyp edhe dy muaj tjerë paraburgim.Lavdrim Muhaxheri, që po zëvendësohet në komandë nga Ridvan Haqifi ishte zgjedhur në vitin që shkoi komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rebelëve anti regjimit të Bashar Al-Asadit, por jo i pjesës që kërkon demokraci për Sirinë, por i krahut që lyp një Siri me sheriat – grupet e afërta me “Al-Kaida’në”.

Së paku një i intervistuar nga Express, i kthyer nga llogoret e luftës në Siri, kishte mohuar që ai është komandant. Ai tha që është vetëm garantues për shqiptarët që hyjnë në mesin e xhihadistëve.

Komandat ose jo, lidhjet me terroristin Lavdrim Muhaxheri dikë e çuan në burg në Kosovë.

Organet e ndjekjes kanë çuar prapa grilave llir Berishën, Jetmir Kyçykun dhe Sedat Topjanin, kurse në kërkim është shpallur Burim Ballazhi. Të gjithë dyshohen për veprimtari terroriste, derisa nuk mohohet se po mbikëqyrën edhe persona të tjerë të lidhur me këtë grup.

Vitin e kaluar u arrestuan edhe 6 persona të tjerë të dyshuar po ashtu për terrorizëm me bazë fetare-islamike dhe një i shtatë ka mbetur ende në arrati.

Organizata terroriste ISIS ku komandonte Lavdrim Muhaxheri e tash edhe Ridvan Haqifi paraqet rrezik të drejtpërdrejt edhe për Kosovën.

Express ka raportuar se mbi 10 kosovarë po përgatiten për sulme terroriste-kamikaze në Kosovë dhe se ata mund të atakojnë që nga Qeveria e deri te kampet e KFOR’it, pa përjashtuar as institucionet tjera të sigurisë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart