Edhe shërbyesit civilë të komunave paralajmërojnë greva


18/01/2019

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte projektligji për pagat e shërbyesve civilë.

Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i sindikatës së të punësuarve të Mitrovicës Mehmet Bajrami, ai i të punësuarve të Vushtrrisë Ramadan Kutllovci dhe ai i Rahovecit Ilir Haxhijaha.

Mehmet Bajrami, tha se kërkesa e Sindikatës së shërbyesve civilë në komunën e Mitrovicës është e njëjtë me atë të Sindikatës së Arsimit.

Ata kërkojnë rritjen e koeficientit për shërbyesit civilë në nivel komunal për 30% duke përfshirë çdo nivel.

Bajrami ka thënë se janë të diskriminuar me koeficientin derisa ka shtuar se zyrtarë të tjerë komunal me atë koeficient që është paraparë me projektligjin për paga pritet t`u ulet paga deri në 40 për qind.

Kështu ata i kanë bërë thirrje komisionit përkatës që ta ndryshojë koeficientin deri më 21 janar. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë do të marrin vendim për hyrje në grevë dhe grevës pritet t’i bashkohen edhe disa komuna të tjera.

Sindikalistët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me draft-ligjin për pagat e shërbyesve civilë, duke thënë se ndjehen të diskriminuar karshi nëpunësve tjerë, si ata të shëndetësisë dhe arsimit.

“Ne ia kemi drejtuar nivelit qendror kërkesën me shkrim dy herë dhe kemi qenë pjesëmarrës edhe në takimet në Kuvend të Kosovës, konkretisht Komisionin Parlamentar dhe kemi pritur mirëkuptim nga Komisioni për nivelimin e koeficienteve të shërbyesve civilë me kategoritë tjera, por kemi marr përgjigje negative nga të njëjtit me arsyetimin se kërkesa jonë nuk ka qenë e arsyeshme”, ka thënë Bajrami.

Udhëheqësit e Sindikatës së të punësuarve të komunës se Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Rahovecit të cilit ishin prezent kanë thënë se kanë marrë mbështetjen edhe prej komunave tjera, duke shtuar se në rast të mospërfilljes së kërkesave të tyre në fillim të javës së ardhshme do të bëjnë publike datën e fillimit të grevës nga shërbyesit civilë në Komunën e Mitrovicës dhe më gjerë.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart