Deputetja e AAK’së: Për taksën jemi të gatshëm t’i përballojmë edhe pasojat


21/02/2019

Kadaj-Bujupi ka thënë se AAK që nga fillimi nuk ka tentuar të merr merita për taksën, madje sipas saj ata që kanë thënë se kanë dhënë ide për taksën janë përgëzuar nga AAK.

“Kemi thënë se taksa është vendim i mirë dhe i duhur dhe si i tillë ai vendim do të mbetet në fuqi. Pra, për neve taksa është çështje e mbyllur. Do të vazhdojmë të ecim tutje. Personalisht mendoj se duhet të kalojmë në një reciprocitet të plotë me Serbinë”, është shprehur ajo në RTV Dukagjini.

Deputetja e AAK-së ka thënë vetëm me këso lloj masash Serbia do të reflektojë karshi të kaluarës dhe veprimeve të veta ndaj Kosovës.

“Serbia edhe pas taksës nuk ka reflektuar si duhet dhe vazhdon të mbajë diskursin e njëjtë me Kosovën. Prandaj ne do të vazhdojmë me taksën dhe do të shkojmë tutje…Vetëm kështu mund të tregojmë se jemi shtet sovran dhe i pavarur që mbron interesat e qytetarëve të vet”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Sipas Donika Kadaj-Bujupit me vendosjen e taksës përfituan të gjithë, përfshirë qytetarët e bizneset.

“Jemi të gatshëm të ballafaqohemi me çfarëdo pasoje eventuale, por siç kemi parë deri më tani të gjithë kanë përfituar me këtë taksë. Kanë përfituar bizneset, qytetarët e Kosovës por edhe vendet fqinje që janë vende mike dhe njohin Kosovën”.

“Mund të konstatoj se nga kjo taksë kemi pasur vetëm të mira si shtet”, ka shtuar më tej Donika Kadaj-Bukupi.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart