Dënimi kapital për Pjetër Ndrecajn, flasin familjarët e bashkëshortes që ai e vrau


01/03/2019

Valbona Marku Nrecaj kishte duruar për shumë vite dhunën nga bashkëshorti i saj, Pjetri, deri në gushtin e vitit të kaluar kur ajo do të vendoste të ikte në shtëpi të vëllezërve.

Veprimi i saj acaroi edhe më shumë bashkëshortin, që në shtëpinë e vëllezërve të tashmë të ndjerës do të shkonte i armatosur e nga aty do linte të vdekura përveç gruas edhe vajzën e tij Klarën 9-vjeçare.

Se e kishte kryer krimin 40-vjeçari e pranoi edhe para gjykatës, duke shtuar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht, e për të njëjtën vepër ishte penduar.

Më 2 nëntor të 2018-s, Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli fajtor Pjetër Ndrecaj për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vjet për vrasje dhe 2 vjet për armëmbajtje pa leje, ku i llogaritej edhe koha që e kishte kaluar në paraburgim.

Dënimi për aktin makabër u komentua shumë e për të njëjtin rast u organizuan disa herë protesta që bënin thirrje për ndryshim të masës në burgim të përjetshëm, duke llogaritur vrasjen si një nga më të rëndat që ka ndodhur viteve të fundit.

Mëngjesin e së premtes, Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e të njëjtit ia ndryshuan masën me burg të përjetshëm duke u bazuar në peshën e rëndë të veprës penale dhe rrethanat posaçërisht rënduese.

Gazeta Express gjatë ditës ka biseduar me familjarët e të ndjerës. Vëllai i Valbonës, Shkelzen Marku, është deklaruar se masa që i është caktuar kryesit të veprës nuk ia heq dhimbjen që kanë, e flet edhe për letrat që i ka lënë motra.

Familja Marku – e pamja për Valbonën e Klarën

“Nuk është punë krenarie apo dëshire, është dhimbje e thellë për familjen, ky vendim nuk na e lehtëson dhimbjen ose pikëllimin, mirëpo sot vetëm u vendos drejtësia e limituar për vrasjen e Valbonës dhe Klarës, është e limituar pasi që nuk ka qenë vetëm natën e vrasjes dhe ky është një vendim që duhej të merrej që në fillim, duke pasë parasysh drejtësinë që kemi në Kosovë nuk lë vend të komentohet shumë duke pasë parasysh që në fillim kur motra e kishte denoncuar sa e sa herë dhe nuk u ndërmor asgjë”, thotë Shkëlzeni. 

Vëllai i Valbonës thotë se nuk kanë marrë ndihmë nga askush e madje nuk u është ofruar as siguri e për këtë janë detyruar që të ikin nga Kosova.

“Jemi larguar nga Kosova pas dy tre muajsh që ka ndodhë rasti prej fjalëve dhe rrezikshmërisë së lartë të fëmijëve dhe familjes dhe sigurisë që s’i ka interesuar askujt e lidhjeve që i kishin në polici, e kam pa shumë të pasigurt me i lënë familjen atje. Pas çdo përpjekje që bëja të ndihmoja fëmijët ose që familja s’ndihej e sigurt ishte e kotë të merrej dikush me ne”, deklarohet Shkëlzeni.

Ai tregon për Express, se e ndjera ka lënë edhe dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se kishte rrezik që të çonin rastin edhe deri në vrasje.

Protestat e organizuara për rastin

“Motra ka lënë letër dhe ka dëshmi të mjaftueshme se pse u vra, me aq sa e di unë hetuesia i ka të gjitha në dorë, mbetet të shihet pas kësaj tragjedie nëse drejtësia në Kosovë të paktën tani do të eci si duhet pasi dëshmitë që i dha motra ime çdo ditë sa ishte gjallë, sipas policisë, ishin shumë të pabaza”, thotë ai.

“Pas vrasjes që ndodhi e kemi marrë vesh nga fëmijët e motrës që njana vajzë i kishte lexuar dy letra të Valbonës fshehurazi që i kishte pas në çantë, por ne s’kemi gjetë asnjë letër, Valbona s’ka dashtë me rreziku familjen edhe me lanë dëshmi te ne, vajza e dëshmon se letra është shkruar nga e ëma”, thotë Shkëlzeni, duke përfunduar se shpresojnë që rasti që u ka ndodhur atyre të jetë i fundit.

Pjetër Nrecaj për vrasjen e gruas dhe vajzës është dënuar me burg të përjetshëm, e ky është dënimi më i rëndë që parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në kohën kur kishte ndodhur vrasja çifti ishin të ndarë e po jetonin në shtëpi të ndryshme, dy prej fëmijëve jetonin me të atin dhe tre me nënën. /Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart