Bilanci i protestave në Shkup, 12 të arrestuar, dhjetra qytetarë dhe një gazetar të lënduar


14/04/2016

Sipas dëshmitarëve okularë, në parregullsitë që kanë ndodhur ka edhe të lënduar të tjerë, midis të cilëve edhe një fotoreporter.

Demonstruesit mbrëmë e demoluan Zyrën popullore të presidentit Ivanov në qendër të Shkupit. Janë thyer dritare dhe mobilet nga zyra, ndërsa është dëmtuar edhe ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë.

Protestuan në shenjë revolte për vendimin e presidentit për ndërprerje të përgjithshme të të gjitha procedurave kundër politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të përfshirë me përgjimet dhe krizën politike.

Paraprakisht demonstruesit ishin para Kuvendit, ndërsa policia i pengoi të drejtohen drejt selisë së VMRO-DPMNE-së. Kërkuan dorëheqjen e presidentit Ivanov, ngrirje të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 5 qershor dhe formim të Qeverisë eksperte e cila do të organizojë zgjedhje korrekte, demokratike dhe kredibile.

Protesta filloi në orën 18:00 para Prokurorisë Speciale Publike në shenjë të mbështetjes së punës së tyre, pas çka vazhdoi para Zyrës popullore të Ivanovit e deri te Kuvendi.

Njëkohësisht, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, pastaj edhe para selisë së LSDM-së opozitare u mbajtën protesta në organizim të Lëvizjes Qytetarët për Mbrojtje të Maqedonisë (GDOM), në shenjë revolte nga vendimi i Ivanovit që të falen kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe i pandehuri në rastin “Puç”, Zoran Verushevski, të cilët sipas tyre, me përgjimin e kanë rrezikuar sigurinë e shtetit, raporton MIA.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart